U nënshkrua sot Marrëveshja e financimit të projektit të “Furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Tiranës”, mes qeverisë shqiptare përfaqësuar nga Zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe Bankës Europiane për Investime, përfaqësuar nga zv. Presidentja Lilyana Pavlova.

Të pranishëm në eventin e nënshkrimit ishin Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe Ambasadori i Delegacionit të BE Luigi Soreca. Projekti i furnizimit me ujë të pijshëm për Tiranën, është një financim në shumën e 144.5 milionë euro, nga të cilat 80 mln euro kredi e financuar nga BEI dhe pjesa tjetër financim i buxhetit të shtetit dhe ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizime Tiranë. Punimet parashikojnë modernizimin e infrastrukturës së rrjetit ekzistues të ujit, duke investuar edhe në linjën e re të furnizimit nga Guri i Bardhë, si dhe garantimin me ujë të pijshëm 24 orë për gati 1 milionë banorë të kryeqytetit.

Në fjalën e tij zv.kryeministri Ahmetaj tha se ky është një tjetër projekt prioritar i qeverisë që po bëhet realitet. Punimet do të nisin vitin e ardhshëm dhe brenda vitit 2024, Tirana do të ketë plotësuar objektivin për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë.

“E kemi nisur diskutimin dy vite më parë dhe kemi bërë punën e milingonës këto dy vjet së bashku me BEI dhe Bashkinë e Tiranës, për të arritur deri këtu. Nuk ka qenë e lehtë, periudha ka qenë e vështirë, kishim tërmetin e pandeminë të cilat e bllokuan hapësirën fiskale. Tani për shkak të ringritjes kemi bërë të mundur që ky projekt të futet në buxhetin e viteve të ardhshme 2022-2023. Në 2023 fillon piku i punës, tani fillojmë punën për detajimin e projektit dhe në pak vite, 24 orë ujë për Tiranën do jetë normalitet” – tha ai.

Ahmetaj shtoi se ky është një nga projektet më të mëdha të financimit, që shkon në linjë me reformën e qeverisë për sektorin e ujit – “Jam i lumtur që ky projekt shkon në një nga sektorët prioritarë të qeverisë shqiptare dhe është pjesë e një reforme tërësore dhe ambicies sonë për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, në këtë rast duke mundësuar ujin e pijshëm 24 orë. Ju e keni parë të gjithë aksionin që ne kemi ndërmarrë me ujësjellësit në funksion të qytetarëve dhe gjithë reforma që kalon nga eficenca e ndërmarrjeve dhe nga modernizimi i infrastrukturës, është në tryezë të Kryeministrit, është në tryezë të qeverisë, përditë”.

Zv.Presidentja e Bankës Europiane për Investime Lilyana Pavlova tha se ky është “një hap i rëndësishëm përpara drejt garantimit të kushteve më të mira të jetesës për qytetarët e Tiranës. Jemi të lumtur të investojmë në një të ardhme më të sigurt e më të shëndetshme për Shqipërinë, duke kontribuar në të njëjtën kohë në një rimëkëmbje më të shpejtë. Jam krenare për bashkëpunimin aktual mes qeverinë shqiptare dhe qytetin e Tiranës, bashkëpunim që na ka ndihmuar të adresojmë sfidat e lidhura me rritjen e shpejtë të urbanizimit dhe pamjaftueshmërisë së sistemit aktual për furnizim me ujë të pijshëm. Ky projekt do të mundësojë furnizimin me ujë dhe do ta çojë vendin më pranë realizimit të objektivave të lidhura me sfidat e zhvillimit urban, ndotjes së ambientit dhe ndryshimeve klimatike. Së bashku me Team Europe ne jemi gati të vijojmë të mbështesim përshpejtimin e zhvillimit ekonomik e social të Shqipërisë dhe mezi presim të zhvillojmë projekte të reja për vendin”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se gjatë viteve të fundit është arritur një rezultat shumë i mirë në drejtim të rritjes së performancës së ndërmarrjes së ujësjellës –kanalizimeve të Tiranës, por me këtë projekt ambicia për ujë 24 orë në Tiranë do të bëhet realitet brenda 2024: “Jemi dita me natën me atë që gjetëm: rrjeti i ujësjellësit i ngjante një kulluese makaronash, ku uji vidhej rregullisht, makinat laheshin me ujë të pijshëm, po ashtu edhe misri ujitej me ujë të pijshëm. Fillimisht u desh të rikuperonim humbjet, të kishim një ndërmarrje më efiçiente, që të mos ishte më një parking militantësh, por një ndërmarrje me misionin për të shërbyer. Tani mund të them me krenari se ndërmarrja ka jo vetëm performancën më të mirë në Shqipëri, por sot është një ndërmarrje që ka arritur t’i paguajë vetë kreditë e marra, që ka financa më të shëndosha. Megjithatë, jemi ende larg ambicies sonë për Tiranën 24 orë ujë, por ky është plani ynë për vitin 2024. Sot firmosim kredinë më të madhe në historinë e ujësjellësit të Tiranës, si një mënyrë për ta çuar në marshin e pestë kalendarin tonë të investimeve. Në 2-3 vitet e ardhshme ne parashikojmë të hapim një kantier që të shtrojmë 45km tubacione në Tiranë, si dhe të sigurojmë një unazë presioni, e cila na jep mundësinë të furnizojmë të gjitha njësitë me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore të Tiranës, sidomos lagjet e reja dhe zonat e veçanta si “Astiri”, “Fresku” dhe “Liqeni i Thatë”.

Ambasadori Soreca tha se “ky projekt i ri investimi është një kontribut i madh i BE në favor të përpjekjeve të Shqipërisë për të përmirësuar performancën e shërbimit dhe garantuar furnizim të vazhdueshëm e të sigurt me ujë për banorët e Tiranës. Europa është këtu për të mbështetur qytetarët shqiptarë për të përmirësuar cilësinë e jetesës, rritur kujdesin shëndetësor dhe ulur kostot e energjisë, ndërsa Tirana bëhet më e qëndrueshme dhe përshtatet me ndryshimet klimatike. Jemi të lumtur të mund të ndihmojmë Shqipërinë të përafrohet progresivisht me standardet e BE.”

***
Fjala e plotë e Zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj
Më lejoni së pari t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë dhe t’ju falënderoj për finalizimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme në një sektor prioritar për qeverinë shqiptare siç është uji, projekt i cili i shërben drejtpërsëdrejti gati 1 milionë banorëve të kryeqytetit, duke garantuar furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me ujë të pijshëm, një lajm i mirë e i shumëpritur për ta.
Marrëveshja që nënshkruam sot, konsiston në tre elementë të rëndësishëm:
Atë financiar – është një nga marrëveshjet më të mëdha 144.5 milionë euro, 80 milionë euro janë kredi që e merr qeveria shqiptare në funksion të ujësjellësit të Tiranës, pjesa tjetër do të financohet nga buxheti, kryesisht nga buxheti i UKT që është një ndërmarrje shumë eficiente dhe një pjesë e vogël janë grant dhe trajnime e asistencë teknike, siç iu referua edhe znj. Pavlova.
Komponenti i dytë është infrastrukturor. Dua të ndaj me qytetarët e Tiranës që gjetja inxhinierike e unazës së presionit është fantastike. Ne të gjithë i mbajmë mend ato historitë e vjetra që këtu ka ujë, aty nuk ka, nuk arrin uji në kilometrin 10 sepse presioni mbaron në kilometrin 1, e të tjera si këto. Një zgjidhje inxhinierike si unaza e zgjidh përfundimisht të gjithë këtë dilemë inxhinierike të dikurshme, përpos që investon në të gjithë rrjetin, që siç iu referua dhe kryetari i bashkisë, ka qenë i ezauruar. Në vitet e fundit është investuar gradualisht për ta ripërtërirë dhe me këtë investim të madh, praktikisht e gjithë infrastruktura e ujësjellësit të Tiranës, modernizohet.
Elementi i tretë që është shumë i rëndësishëm, është që përmes këtij investimi sjellim një burim të ri të ujit nga Guri i Bardhë (25 km në verilindje të Tiranës) për kryeqytetin. Pra janë tre shtylla të rëndësishme të këtij projekti dhe këtë e bëjmë me një partner shumë të rëndësishëm si Banka Europiane për Investimet.
Projekti është pjesë e gjithë asaj reforme dhe ambicie, që qeveria shqiptare së bashku me qeverisjen lokale, kemi për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve me themel, në këtë rast, ujin e pijshëm 24 orë.
Kemi përmendur shumë projekte – kemi përmendur aeroportin e Vlorës, po bëhet realitet; kemi përmendur Unazën e Tiranës, më në fund po bëhet realitet; Tuneli i Llogarasë, po bëhet realitet; projekte të tjera portuale, aeroportuale, rrugore apo hekurudhore, po bëhen realitet. Edhe ujësjellësi i Tiranës dhe 24 orë ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës, po bëhet realitet.
Kur dikur, dikush, me të drejtë apo pa të drejtë na ngacmonte se janë 3D, sot asnjë nga ato projekte që kemi përmendur nuk janë 3D, janë të prekshëm dhe janë pjesë e axhendës prioritare të këtij Kryeministri dhe të kësaj qeverie.
Dua t’i kthehem dhe njëherë projektit që nënshkruam sot. E kemi nisur diskutimin me kërkesë të Kryeministrit dy vite më parë dhe kemi bërë punën e milingonës këto dy vjet së bashku me Bashkinë e Tiranës dhe BEI, për të arritur deri këtu. Nuk ka qenë e lehtë, periudha ka qenë e vështirë, kishim tërmetin e pandeminë të cilat e bllokuan hapësirën fiskale. Tani për shkak të ringritjes kemi bërë të mundur që ky projekt të futet në buxhetin e viteve të ardhshme 2022-2023. Në 2023 fillon piku i punës, tani fillojmë punën për detajimin e projektit dhe në pak vite, 24 orë ujë për Tiranën do jetë normalitet. Mes 17 ore ujë dhe 24 orë ujë, është në mes një det i tërë punësh që jemi duke i bërë sot për ta bërë realitet.
Dua gjithashtu të theksoj që ky investim shkon në një nga sektorët prioritarë të qeverisë. Ju e keni parë të gjithë aksionin që ne kemi ndërmarrë me ujësjellësit në funksion të qytetarëve, uji është i shtrenjtë jo në aspektin financiar, por në aspektin e domosdoshmërisë së qytetarëve për 24 orë furnizim dhe gjithë reforma që kalon nga eficenca e ndërmarrjeve dhe nga modernizimi i infrastrukturës, është në tryezë të Kryeministrit, është në tryezë të qeverisë, përditë.
Ndërkohë gjej rastin që ta falënderoj Bankën Europiane për Investime, gjej rastin ta falënderoj edhe Komisionin Europian dhe delegacionin e BE në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë, në gjithë këto vite por sidomos në dy vitet e fundit të vështirë të tërmetit dhe pandemisë.
Dua të informoj qytetarët edhe që së bashku me BEI, me mbështetjen e ambasadorit Soreca dhe kërkesë të Kryeministrit për dilixhencë të vazhdueshme në këtë gjë, ne kemi filluar negocimin për 100 mln euro një injektim i ri financiar në dy vitet buxhetore që vijnë, pra do të negociohet gjatë vitit që vjen për ta futur në buxhetin 2023, 100 mln euro që ka të bëjë me një projekt gjithashtu prioritar siç është strehimi, jo thjesht të familjeve në nevojë, por atë instrument që ne e kemi përmendur edhe në programin tonë të qeverisë, në mbështetje të familjeve të reja, një instrument strehimi modern që i vjen qytetarëve në ndihmë.
Faleminderit dhe njëherë dhe punë të mbarë.