Nga Jakin Marena/ Sali Berisha në aksionin e tij për të larguar Lulzim Bashën nga drejtimi i PD nuk është nisur aspak nga dhimbja që ka për këtë parti, e cila për tre mandate është “stacionuar” në opozitë.
Aspak. Berishës nuk ia ndjen fare për PD dhe as për demokratet, por si një “skile” e vjetër e politikës udhëhiqet nga interesat personale dhe nga gjenerimi i ligësisë brenda tij, e kthyer në tërbim ndaj “birit” të tij “plangprishës” Lulzim Basha.
Ish kryeministri nuk ia fal kreut aktual të PD faktin se në momentin kur ai ndjehej më keq pasi ishte shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe goditje ndaj drejtësisë, në vend që ta mbështeste apo të mos bënte agjë si zakonisht dhe vetëm të qeshte, e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD.
Tërbimi i “babait” politik është ngritur një “oktavë” më lart në momentin kur Basha jo vetëm që e përjashtoi nga grupi i PD, por filloi të bënte dhe si kryetar sipas tij, pavarësisht se kishte marrë mbështetjen e ithtarëve të Berishës për t’u rizgjedhur në krye të kësaj partie, pas humbjes rrënuese më 25 prill përballë Edi Ramës, i cili fitoi mandatin e tretë radhazi.
Dhe sa herë që Basha dilte në media dhe përmes deklaratave publike deklaronte ndarjen me të shkuarën, pra me Berishën, deklaronte se “llumi” në PD që ka qeverisur në 8 vite me radhë nuk ishte e ardhmja e kësaj partie, Sali Berisha e ka shoqëruar me një lëvizje të re.
Në fillim organizoi foltoret për t’i përmbyllur me Kuvendin 11 dhjetorit, të vetëmbledhur me ¼ e delegatëve të tij, dhe mori vendimin për shkarkimin e Bashës, ndryshimin e statutit dhe zhvilloi referendumin për të “ratifikuar” dëbimin e Lulzim Bashës përfundimisht nga drejtimi i PD.
Pjesa e votimit është statistike si gjithnjë në PD, 99.98 përqind votuan për të larguar Bashën, i cili nga ana e tij iu përgjigj me Kuvendin e 18 tetorit, duke ndërmarrë dhe ai të gjitha shkarkimet e mundshme dhe përjashtimet nga forumet drejtuese, që nga Berisha dhe mbështetësit e tij.
Po pse ka ndodhur gjithë kjo “kataklizmë” në PD, që mund të rrezikojë shuarjen e saj deri në shkrirjen përfundimtare, si një parti që në 30 vite e ka përfunduar misionin e saj politik?
Në krye të herës, në mentalitetin e drejtuesve politikë shqiptarë dhe në veçanti të PD, çështja e “unit” ka qënë gjithnjë një problem më vete. Berisha e ka aplikuar në ekstrem, duke e kthyer këtë parti në një pronë të veten, duke mos lënë askënd t’i qaset asaj.
Nuk ka lënë figurë pa përjashtuar, përmes denigrimit, poshtërimit e deri tek dhunimi fizik, çka ka bërë që potencialet më të mëdha të PD, ose të kalojnë drejt partive të tjera ose të jenë si “elektrone” të lira pa mundur që të kenë ndikim në jetën politike dhe shoqërore në vend.
Berisha i ka mbajtur njerëzit afër sa kohë i kanë shërbyar dhe në fund i ka hedhur. Nuk janë ndonjë sekret emrat. Duke filluar nga Azem Hajdari, i cili kryesoi lëvizjen studentore dhe të parën parti opozitare në Shqipëri, i cili deri sa u nda nga jeta pas ekzekutimit afër selisë së PD më 12 shtator 1998, s’ka qënë as ministër e as në ndonjë post tjetër, por më tepër ka qëndruar jashtë forumeve drejtuese të PD se sa brenda tyre, derisa u nda përfundimisht nga jeta.
Dhe po e mbyllim me Jozefina Topallin, e cila u përjashtua nga Lulzim Basha, “biri” politik i Berishës, i cili siç e thotë dhe vetë nuk ka bërë asgjë pa urdhërin e Doktorit. E ka lënë me shkrim dhe nëpër ambasadat kryesore të akredituara në Shqipëri një qëndrim të tillë. Pra dhe Topalli është përjashtuar nga PD me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të Berishës.
Teksa Berisha e ka mbështetur për 16 vite me radhë, duke i dhënë gjithçka, që nga postet më të larta qeverisëse në dikasteret kryesore në vend për 8 vite me radhë, e vijuar me postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, por dhe mandatin e kryetarit të PD përballë Sokol Olldashit, apo e ka mbështetur në “ngrirjet” e “shkrirjet” e tij sa herë që PD ka humbur përballë PS në këto 8 vite, për ta zgjedhur kryetar, Lulzim Basha ia “përktheu” sipas Berishës, me “besëprerje” mirësinë.
Për këtë arsye Berisha nuk ia fal Bashës, ndaj i është ngritur jo “delli” politik por “delli” i malësorit, për të bërë çfarë është e mundur që ta poshtërojë dhe ta “përvëlojë” përfundimisht duke e nxjerrë jashtë politikës.
Jo pa qëllim sa herë që Basha përmend faktin se kishte përjashtuar Berishën pasi ishte shpallur “non grata” nga SHBA dhe se i ishte vënë kusht për mbështetjen e PD vetëm nëse ndahet nga e shkuara, Sali Berisha i përmend dosjen ruse të lobimit në SHBA për një foto me Donald Trump dhe vizitën e ish ambasadorit Donald Lu që ia solli këtë dosje në zyrë, sipas tij gjithnjë.
Sa herë që Basha përmend “llumin” e korrupsionin në qeverisjen 8 vjeçare të PD, kryetari aktual bën sikur ka zbritur në tokën shqiptare për herë të parë më shtator të këtij viti, Berisha i përmend aferën e Rrugës së Kombit, i përmend dhe 21 janarin nëpër dhëmbë por dhe problemet që ka pasur me skandalin e 3.4 milionë eurove të “Tayota Yaris”, si kundërpeshë. Me një fjalë, ish kryeministri i thotë kreut aktual të PD: je në “llum” dhe ti!
Për hir të së vërtetës Sali Berisha e di se është “djegur” përfundimisht në politikë. Dhe deklaratat e tij se do të ringrejë dhe udhëheqë PD-në deri në rrëzimin e kësaj qeverie të kryesuar nga Edi Rama, për ta drejtuar vetë ai qeverinë e demokratëve, janë thjeshtë një mënyrë për të karikuar bazën e PD kundër Bashës, i cili për 8 vite qëndrimi në krye të kësaj partie, i “garantoi” vetëm tre mandate në opozitë. Dhe nuk është nuk ka ngjitur, pasi baza e PD është kundër Bashës.
Berisha është i bindur se nuk mund ta risjellë PD-në në pushtet asnjëherë, madje ka dhënë sinjale se nuk do të jetë as kryetar i kësaj partie, në rastin e mundshëm të dëbimit të Bashës, megjithëse ky i fundit mund të mbahet ende nën kalkulacionin e procedurave dhe vendimeve të gjykatës.
Ish kryeministri ka lënë për të kuptuar se do të hapë rrugën për një brez të ri drejtuesish në PD, gjithnjë duke qëndruar fort në faktin se do të jenë nën tutelën e tij, për ta pasur partinë si një “mburojë” jo për çështjen e “non grata-s”, pasi Berisha nuk do lëvizë kurrë drejt SHBA për ndonjë vizitë në jetën e tij, por për rikupersionet që mund të vijnë prej këtij vendimi.
Dhe që me sa duket hallet për Sali Berishën kanë “trokitur” tashmë, pasi SPAK është gati në fund të hetimit të aferës së privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, ku dhëndërri i tij, Jamarbër Malltezi hyri me një pjesë minore prone prej 10 metrash katrorë dhe doli me një pasuri prej miliona eurosh. Dhe për këtë në një formë apo tjetër do të jepet një vendim.
Pra Berisha është i bindur se është “djegur” përfundimisht, e duke shtuar dhe moshën 77 vjeçare por dhe peshën e politike të Edi Ramës, i cili dhe për shumë vite të tjera mbetet i fortë, ish kryeministri demokrat nuk ka asnjë shans për të qënë kryeministër ndonjëherë.
Dhe pamundësinë e tij për të qënë “violinë” e parë në radhën e pritjes për t’u ngjitur në krye të vendit, inatin e tij prej plaku të lig për vitet që ka mbi supe të cilat i ofrojnë pamundësinë e rikuperimit politik, dhe mbi të gjitha faktin se SHBA dhe BE nuk e duan rikthimin e tij, Berisha kërkon ta “shkarkojë” mbi “birin” e tij politik “besëprerë” Basha, për ta tërhequr zvarrë, poshtëruar dhe “përvëluar” politikisht.
E thënë me fjalë më të thjeshta, Berisha në pamundësi për t’u rikthyer ashtu siç dëshiron ai në krye të PD dhe në krye të qeverisjes së vendit, kërkon që të mos lejojë as Lulzim Bashën, që të pretendojë sëpaku për të ardhur njëherë në krye të qeverisë.
Dikush mund të thotë një inat plaku të lig dhe grindavec që mungesën e fuqisë po e kompenson me zgjatjen e “gjuhës”, por për hir të së vërtetës, Berisha po ia del me shumë sukses që të tërheqë jo vetëm Bashën por të gjithë PD-në në greminën politike ku ka rënë vetë pa kthim.
Dhe duke qënë se Berisha u shkon gjërave deri në fund, kujtojmë se u largua në vitin 1997 vetëm atëherë kur e rrënoi nga themelet shtetin shqiptar, po ashtu u largua nga qeverisja e PD kur ia nxori themelet ekonomikisht vendit, atëherë ia vlen të besojmë se do ta mbyllë me PD-në vetëm atëherë kur të shohë Bashën jashtë politikës, e këtë parti drejt shuarjes, deri në shkrirje. Kjo është një “aksiomë” e pranuar pa vertetim e Berishës, të cilën PD dhe shqiptarët e kanë parë në 30 vite.
Ndaj të gjithë njerëzit e arsyeshëm duhet të këmbëngulin për një PD pa Berishën dhe Bashën në krye, por me një lidership që nuk kanë lidhje me këtë dyshe që kanë bërë gjithçka në 16 vitet e fundit. Ndryshe, PD praktikisht është në fundin e ciklit të saj politik. Dhe kjo nuk është e mirë!