Kur eshtë kaq i interesuar që të marrë provat që amerikanët kanë që e shpallën ‘Non Grata’ pse nuk ia kërkon këtë institucioneve të drejtësisë shqiptare, pasi SHBA-të kanë thënë se do t’ia jepnin ato organizmave ligjzbatuese në vend. Kjo është pyetja që ka ngritur sot kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“I dërguari i SHBA tha se nëse drejtësia shqiptare kërkon prova ne jemi të gatshëm të japim prova. Zoti Berisha a është i gatshëm ti drejtojë drejtësisë shqiptare kërkesë për të marrë prova”, tha Basha, sonte i ftuar në ‘Open’ në Top Channel.

Basha ka treguar se Sali Berisha është përpjekur të pengojë anëtarët e Këshillit Kombëtarë që të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga kreu i PD-së , një ditë pasi u mbajt Kuvendi Kombëtar në ‘Air Albania’. Ai tha se Berisha u ka dërguar anëtarëve mesazh personal në celular ku iu ka kërkuar të mos shkojnë në Këshillin Kombëtar e madje për atë që do të paraqiteshin, Berisha kishte një porosi, ‘grisni fletën e votimit’. Ai shton se ky plan i Berishës nuk funksionoi pasi anëtarët e Këshillit votuan për shkarkimin e kreut të Këshillit Kombëtar, anëtarët e kryesisë që u zgjodhën te Komisionit i rithemelimit dhe 4 sekretarëve.

Ndërkohë, Basha thotë se delegatët morën pjesë në Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri për shkak të presioneve që kanë marrë, duke iu kujtuar se janë futur në punë nga Berisha, e sipas Bashës janë detyruar të shkojën, por ndërkohë kanë firmosur edhe për Kuvendin e vërtetë, atë të 18 dhjetorit.

“Kur ka shumicën pse i çon mesazh personal çdo anëtari të këshillit kombëtar mos shkoni në Këshillin Kombëtar. Iu thotë grisni formularët e Këshillit, shumica erdhi në këshillin kombëtar dhe votoi. Të dielën në darkë u mblodh dhe votoi”, tha Basha në Open me gazetaren Eni Vasilin.

Basha u kujdes të ritheksojë sërish se më 11 dhjetor nuk ka pasur Kuvend, por tubim dhe se ai vijon të mbetet kryetar i PD-së, pasi shkarkimin nga delegatët është nul. Sa i përket vendimit të për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, Basha tha se pas përjashtimit të tij ndihet më i çliruar se në çdo moment tjetër gjatë 16 viteve të karrierës së tij politike.

“Unë jam kryetari i PD i zgjedhur me 1 anëtar një votë. Jam kryetar i opozitës, kam një betejë të rëndësishme për të udhëhequr me demokratët dhe për demokratët. Nuk ka patur Kuvend në 11 dhjetor, ka patur një tubim që mund ta thërriste këdo, mund ta thërriste edhe Tom Doshi, Ilir Meta, Edi Rama, Vangjush Dako”, tha Basha.

“Vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së nuk është personal, por i kryetarit të PD-së. Me statutin e PD kryetarit i kërkohet të marrë vendime të tilla dhe mosmarja e një vendimi të tillë e ngarkon me përgjegjësi dhe atëherë do ishte shkelur statuti. Ne nuk jemi pakicë sepse vendos se me çfarë metri e mat.

Shumica e demokratëve duan largimin e regjimit të Ramës. Unë ndihem i përligjur në vendimin që kam marrë, por ndihem më me shpresë në 16 vite karrierë në politikë. Unë ndjehem i çliruar nga barra e të kaluarës. Në momentin më kyç që 11 dhjetor, kolegët tuaj korespondentë nuk i lejoi të futeshin”, tha Basha.

Më pak se 48 orë na ndajnë nga 18 dhjetori, ditën kur do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, ndërkohë që po atë ditë Sali Berisha ka deklaruar se do të mbahet referendumi në 72 degët e PD-së, ku anëtarët e kryesisë do të miratojnë shkarkimin e Bashës.