Diplomatët e lartë të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës u mblodhën të shtunën në Liverpul të Brtianisë, për të demonstruar “një shfaqje uniteti kundër agresorëve globalë” në mes të një krize mbi synimet e Rusisë ndaj Ukrainës.

Britania po kërkon konsensus nga grupi i vendeve më të pasura në përgjigje të asaj që ajo e quan “sjellje dashakeqe” nga Rusia dhe tensionet me Kinën dhe Iranin.

“Ne duhet të mbrohemi kundër kërcënimeve në rritje nga aktorët armiqësorë”, tha Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss në hapje të takimit tëministrave të jashtëm Britanisë, Shtetet e Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. “Dhe ne duhet të bashkohemi fort për t’iu kundërvënë agresorëve që po kërkojnë të kufizojnë lirinë dhe demokracinë”, shtoi ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO janë të shqetësuara se lëvizja e trupave dhe armëve ruse në rajonin kufitar me Ukrainën mund të jetë një përgatitje për ndërhyrje ushtarake dhe kanë thënë se një veprim i tillë do të shkaktonte vendosjen e sanksioneve të rënda ekonomike nga Perëndimi kundër Rusisë.

Zonja Truss dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken diskutuan mbi mënyrat e pengimit të një “agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës” në një takim kokë më kokë, tha Departamenti i Shtetit. Britania tha se të dy diplomatët e lartë paralajmëruan se çdo ndërhyrje ruse “do të ishte një gabim strategjik për të cilin do të kishte pasoja të rënda”.

Departamenti i Shtetit njoftoi të shtunën se diplomatja e lartë amerikane për Evropën, Karen Donfried, do të vizitojë Kievin dhe Moskën javën e ardhshme “për të përforcuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës” dhe për të kërkuar një zgjidhje diplomatike të krizës. Pas takimit me zyrtarët ukrainas dhe rusë, zonja Donfried do të shkojë në Bruksel për të biseduar me aleatët e NATO-s dhe ata të Bashkimit Evropian./VOA/