Bullgaria nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit dhe nuk do ta miratojë kornizën negociuese për fillimin e negociatave me BE-në, njoftoi shërbimi për median i qeverisë kalimtare bullgare.
Qeveria e miratoi qëndrimin e Bullgarisë për pjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit për Çështje të Përgjithshme më 14 dhjetor.
”Bullgaria do t’i përmbahet Deklaratës së Asamblesë Kombëtare të datës 10 tetor 2019 në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë si dhe qëndrimit kornizë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të miratuara nga Këshilli i Ministrave më 9 tetor 2019 dhe të mbështetur nga deklarata e Asamblesë Kombëtare të 10 tetorit 2019”, e plotëson informacionin shërbimi për median i qeverisë bullgare.
Në të njëjtën kohë, Sofja zyrtare beson se Tirana është gati të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.
”Megjithatë, të dy vendet aktualisht po lëvizin si një paketë drejt BE-së. Për Bullgarinë, parimi bazë i meritave të secilit kandidat mbetet vendimtar. Bullgaria beson se Shqipëria është e gatshme të ecë përpara në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të mbështesë miratimin e Kornizës negociuese për vendin dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, sipas kumtesës së shërbimit për media të qeverisë bullgare.