Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit Evis Kushi, morën pjesë në ceremoninë e dhënies së certifikatave për nxënësit fitues në fazën e tretë të olimpiadave kombëtare 2020-2021, e cila u zhvillua në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
Veliaj vlerësoi faktin se investimet në arsim, si salla “Tonin Harapi” në shkollën “Jordan Misja”, janë kyçe sa i përket zhvillimit të sistemit arsimor në vendin tonë, i cili po reflektohet tek të rinjtë fitues të garave të tilla kombëtare, por edhe ndërkombëtare, ashtu sikurse iu ka shprehur mirënjohjen e veçantë edhe mësuesve për përkushtimin e tyre.
“Kur mendoj sa shumë punë kemi bërë në Tiranë, si kjo foleja e bukur këtu – salla “Tonin Harapi” – jam shpresëplotë se kemi bërë një investim që u shërben të gjtihëve ju. Fakti se sot kemi çuna dhe goca që fituan olimpiada dhe dolën me sukses, do të thotë se kur ne shqiptarët i vëmë syrin diçkaje, kur kemi një bashkëpunim mes një nxënësi të zellshëm dhe një mësuesi të përkushtuar, nuk ka asgjë që na ndalon. Sot jam shumë krenar, jo vetëm për ata që marrin medalje, por edhe për mësuesit që kanë kontribuar me përkushtimin e tyre,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ftoi të rinjtë fitues të olimpiadave të aplikojnë në thirrjen e Bashkisë së Tiranës për projekte për vitin ku Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Mezi pres vitin tjetër kur do të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë. E shoh si një mundësi të shkëlqyer thirrjen për projekte apo aktivitete, e cila do të jetë e hapur deri në datën 28 janar! Mund të aplikoni si shkollë apo për një koncert, ansambël apo olimpiadë, por gjithmonë duam që të ftoni edhe miq nga rajoni, ose nga e gjithë Europa, për ta treguar realisht fytyrën europiane të qytetit të Tiranës. Ky do të jetë viti ku ne do të kemi buxhetin më të madh ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë në qytetin tonë për rininë, edhe për investimet për çunat dhe gocat e rinj, dhe qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë bashkë,” deklaroi ai.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Evis Kushi e vuri theksin te kurrikulat e reja në arsimin parauniveristar të cilat, siç tha ajo, janë dhe baza në çdo olimpiadë të zhvilluar.
“Sot kemi një kurrikul të re në arsimin parauniversitar, që bazohet në kompetenca që t’i bëjë nxënësit të aftë, e pikërisht bazuar mbi këtë kurrikul të re organizohen edhe të gjitha olimpiadat në të gjitha lëndët. Ajo që më gëzon është fakti se ne kemi pjesëmarrës nga të gjitha qytetet e vendit. Kemi një pjesëmarrje shumë të lartë. Janë 30 mijë nxënës që kanë marrë pjesë në fazën e parë dhe sot kemi 103 fitues,” u shpreh Kushi.