Kostoja e darkës së Krishtlindjeve në SHBA është rritur me mbi 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe inflacionit të lartë në një nivel rekord.

Konsumatorët amerikanë do të paguajnë 15.4 për qind më shumë në bazë vjetore për produktet që zakonisht shkojnë në darkën e tyre të Krishtlindjeve, sipas Mintec.

Ndërsa pjesa e produkteve të ushqimit kryesor u rrit me 14.2 për qind në nëntor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e përbërësve të ëmbëlsirave u rritën me 35.8 për qind.

Në rast se konsumatorët janë vegjetarian ose duan të qëndrojnë larg mishit, çmimet për vaktet me bazë bimore u rritën me 7.3 për qind, sipas të dhënave të Mintec.

Mishi i derrit dhe gjelit të detit përbëjnë afërsisht 56 për qind të një vakti kryesor tipik të Krishtlindjeve në SHBA ndërsa edhe çmimet e tyre janë rritur.

Çmimet e gjelit të detit janë rritur rreth 20 për qind në bazë vjetore, sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA). Një gjel deti rreth 7 kilogram kushton rreth 1.41 dollarë për kilogram, 23 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Ndërsa çmimet e mishit të derrit dhe viçit u rritën me 9 për qind nga viti në vit, çmimet e viçit dhe shpendëve u rritën me 10 për qind, përkatësisht 5.5 për qind, krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të USDA.

Përsa i përket perimeve, çmimi i patateve në SHBA është rritur me 17.8 për qind në nëntor krahasuar me vitin e kaluar ndërsa çmimet e karrotës u rritën me 27.7 për qind dhe çmimet e rrepës u rritën me 8.9 për qind, sipas Mintec.

Rritja e çmimeve të plehrave është një shqetësim i madh për fermerët amerikanë, pasi ato u rritën deri në 300 për qind në disa zona të vendit, sipas Federatës Amerikane të Byrosë Bujqësore.

Çmimet e konsumit në SHBA u rritën me 6.8 për qind në nëntor me bazë vjetore, duke shënuar rritjen më të madhe 12-mujore që nga qershori 1982.

Megjithatë, rritja e çmimeve të prodhimit në SHBA me 9.6 për qind në nëntor, në nivelet e tyre më të larta vjetore të regjistruara, tregon se çmimet e konsumit mund të rriten mbi nivelin e tyre të lartë në 39 vjet, gjatë muajve të ardhshëm.