Departamenti amerikan i Shtetit, publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë, ku thuhet se në gjatë vitit 2020, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre shënuan përparime të mëdha kundër organizatave terroriste.
Në raport vlerësohet mbështetja që Shqipëria i ka dhënë përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit në vitin 2020 si dhe kontributi i saj në Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in.
Raporti ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë të Njësisë së Policisë së shtetit Kundër Terrorizmit dhe përfshirjen e saj në operacione të suksesshme për kapjen e terroristëve ose të dyshuarve për terrorizëm.
“Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit (CTU) ka punuar ngushtë me agjencitë amerikane për të harmonizuar kërkesat e qeverisë shqiptare me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së, duke siguruar që qeveria shqiptare të zhvillojë aftësi të fokusuara kundër terrorizmit. Nëpërmjet pjesëmarrjes në programin e Asistencës Antiterroriste të Departamentit të Shtetit, CTU mori trajnim mbi hetimet kundër terrorizmit, operacionet e mbikqyrjes, identifikimin dhe sekuestrimin e provave dixhitale dhe grantet e pajisjeve shoqëruese. Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit gjithashtu mori pjesë në disa ndalime të suksesshme të terroristëve të njohur ose të dyshuar”, thotë raporti.
Qeveria shqiptare, sipas DASH, ka zhvilluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, plane dhe aftësi emergjente për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve terroriste.
“Shqipëria përndjek aktet terroriste, duke përfshirë financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona në listat e të sanksionuarve nga Kombet e Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për të kryer akte terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe ngritjen, drejtimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste ose konflikte të armatosura jashtë vendit”, thotë raporti.
Në vitin 2020, Shqipëria filloi zbatimin e një regjimi më të rreptë të burgjeve për të dënuarit e rrezikshëm, përfshirë edhe për një të dënuar për rekrutim me qëllim terrorizmi, thuhet më tej në raport.
DASH-i vëren se Qendra Kombëtare e qeverisë shqiptare kundër terrorizmit të dhunshëm, mbetet aktive në mbështetet nga një gamë e gjerë programesh ndihme dhe angazhimi diplomatik nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke përfshirë grupet e komunitetit lokal që identifikojnë dhe zbusin faktorët që mbështesin ekstremizmin e dhunshëm.