Në Dibër reshjet e borës janë ndërprerë gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa gjatë natës janë shënuar temperatura të ulëta nga -5 deri -10 gradë në zonat e thella në lartësi.
Në të gjitha akset ka pasur probleme nga ngricat, ndaj është këshilluar përdorimi i zinxhirëve.
Probleme ka patur edhe në rrugët e brendëshme të qytetit të Peshkopisë, pasi rrugët që janë hapur nga makinat janë të ngushta dhe nuk është hedhur kripë. Në trupin e rrugës është krijuar shtresë akulli, çka krijon probleme për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Të izoluara plotësisht janë Njësia Administrative Lurë dhe Selishtë, disa fshatra të njësisë Sllovë, Kala e Dodës dhe Melan.
Njësitë Lurë, Selishtë, Reç, Sllovë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Luznisë kanë kaluar 48 orë pa energji elektrike, pas rrëzimit të disa shtyllave.
Aksi kombëtar Peshkopi – Burrel – Tiranë kalimi bëhet pa probleme, por duhet kujdes tek pishat e Bulqizës gjatë natës dhe orët e para të mëngjesit.
Aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi bëhet pa zinxhirë gjatë ditës, por natën dhe orët e para të mëngjesit këshillohet përdorimi i mjeteve antirrëshqitëse për shkak të ngricave.
Aksi Peshkopi – Draj Reç – Kukës, kalimi vetëm me zinxhirë.
Policia rrugore porosit drejtuesit e mjeteve, kryesisht ato që vijnë nga Tirana ose rrethe të tjera që të përdorin gomat e dimrit dhe mjete antirrëshqitëse(zinxhirë).