Bashkia e Tiranës vijoi turin e dëgjesave për buxhetin e vitit 2022, e kësaj here kryebashkiaku Erion Veliaj bisedoi me profesionistë të rinj të qytetit. Ai theksoi se buxheti i vitit 2002 i kushton zërin më të rëndësishëm rinisë, mes të cilave edhe projektet për rijetësimin e Piramidës, Kampusin Universitar në Universitetin Bujqësor, Kopshtin Zoologjik, terrenet e reja sportive dhe pistat e vrapimit te Parku i Farkës, Liqenin e Thatë, apo pista profesioniste te Liqeni Artificial.

“Investimin më të madh do ta bëjmë në fushën e teknologjisë së informacionit me transformimin e Piramidës, ku të rinjtë do të kenë mundësi jo vetëm të mësojnë si të kodojnë apo për realitetet virtuale, robotikën, etj., por aty do të gjejnë edhe një bibliotekë e hapësira për aktivitete. Duam që Piramida të jetë shtëpia më e madhe e rinisë. Nëse themi se rinia është prioritet, atëherë do investojmë pronën më të mirë të qytetit, si Piramida, për ta,” tha Veliaj.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku shtoi se miniqendra si “TUMO” do ngrihen edhe në kampuset universitare. Tumo do të hapë një qendër edhe për të rinjtë e Kodër-Kamzës, që ata të mos vijnë deri në Tiranë për të mësuar. Kemi dhe një kërkesë nga Instituti i Katalunjës në Barcelonë për të hapur “Nano-Al” dhe një qendër kërkimi. Gjithashtu, po flasim me “Factory Berlin”. Pra, kemi disa shkolla të teknologjisë së informacionit dhe industrisë kreative që duam t’i transferojmë tek ai Kampus, për të mos ta trajtuar si konvikt,” tha Veliaj, duke shtuar se të njëjtin projekt bashkia e ka edhe për Kampusin e Universitetit të Tiranës.

Kreu i Bashkisë e vuri theksin te projekti ambicioz i 100 terreneve të reja sportive, që do hapen vitin e ardhshëm. “Ne kemi një listë terrenesh të cilat duam t’i kthejmë në 100 hapësira të vogla sportive. Duam që secili prej jush të na japë një dorë për këtë projekt,” tha ai. Veliaj nënvizoi faktin se më në fund është mbajtur edhe premtimi për pistën profesioniste të atletikës te Liqeni. “Tirana nuk ka pasur prej kohësh një pistë profesionale atletike dhe jo vetëm sepse Luiza Gega është më e mira, por ka edhe qindra të rinj të tjerë që merren me sport. Ndaj, e kemi nisur punën për pistën e atletikës te liqeni, e cila do të jetë më standarde,” u shpreh Veliaj.

Një tjetër projekt i suksesshëm në drejtim të një jetese të shëndetshme është dhe ai i shkollës së biçikletave për grupmoshat 7-10 vjeç. “Duam që shkollën e biçikletave që e kemi filluar si një operacion “ad hoc” tek Sheshi “Italia” vetëm me vullnetarë, ta kthejmë në një agjenci profesioniste të Bashkisë së Tiranës. Unë e di që njerëzit janë ende cinikë, por në fakt rezultatet janë shumë mbresëlënëse. E filluam përpara 6 vitesh me vetëm 1% të popullatës që kishte biçikletë, kemi kaluar sot në 10%. Nuk është ende Amsterdam dhe Kopenhagen, po është dita me natën nga ku ishim më përpara, sidomos për distanca të vogla,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nuk la pa përmendur edhe projektin më të madh ndër dekada sa i përket investimit në institucionet e reja arsimore, ku tha se veç 14 shkollave të reja që po ringrihen falë projektit të rindërtimit pas tërmetit, për vitin e ardhshëm janë planifikuar edhe shumë rikonstruksione shkollash të tjera që kishin nevojë për ndërhyrje, si gjimnazet “Partizani” dhe “Besnik Sykja”. “Projekti i fundit është shkolla “Sami Frashëri” e cila do të mbarojë këtë vit, – jemi në fazën ku po porosisim fasadën, e cila është një fasadë e çmuar dhe që prodhohet vetëm në një fonderi të caktuar në Itali – dhe do kemi së shpejti një mega festë te rruga e “Barrikadave” për hapjen e shkollës “Sami Frashëri”” u shpreh Veliaj.

Viti 2022 do të ketë buxhetin më të madh edhe të investimeve për qytetin, me një fond prej 82 milion euro vetëm nga të ardhurat e Bashkisë duke shënuar rritjen e buxhetit të investimeve me 37% në krahasim me vitin 2021. Tirana Policentrike me dy lagjet e Reja “5 Maji” dhe “KombinArt”, zgjerimi i lumit Lana dhe Unazat e Tiranës janë disa prej projekteve ku do fokusohet puna gjatë vitit të ardhshëm.