20 Dhjetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, i është përgjigjur deputetit të opozitës Tritan Shehu duke i konsideruar deklaratat e tij në dëm të shëndetin e qytetarëve.
“Ti z. Shehu sa herë që shkëputesh nga ato përpjekjet për t’i rikthyer Shqipërisë të ardhmen, edhe pse në fakt tek e ardhmja ju gjithmonë përpiqeni të fusni edhe veten, del tek kjo foltore dhe rëndit gënjeshtra pa fund që me thënë të drejtën i dëgjoj me shumë keqardhje sa herë që ju dilni dhe manipuloni opinionin publik. Manipuloni për fat të keq edhe ata pak njerëz që ju ndjekin. Por që për fat të keq sot hezitojnë të vaksinohen pikërisht për arsye të mos arsyes tuaj në raport me vaksinimin. Dilni këtu dhe për të disatën herë vijoni dhe thoni që në Shqipëri vaksinat janë të pasigurta. Ky nuk është vetëm turp. Kjo do të thotë që ju me përparësen e bardhë që tashmë e keni hequr prej vitesh e vitesh, të një profesioni të nderuar si ai i mjekut. Keni veshur një përparëse politikani që në fakt përpiqeni ta bëni të bardhën të zezë. Me apelin tuaj në vazhdim që i bëni shqiptarëve dhe u thoni që të mos vaksinohen sepse vaksinat janë të pasigurta, patjetër që rezultatet e vaksinimit nuk mund të jenë ato që duhet të ishin. Nëse të gjithë këtu së bashku do të bënim të pamundurën mazhorancë dhe opozitë për të rritur vaksinimin, mbulesën vaksinale dhe për të garantuar që çdo qytetar shqiptar të merrte dozën e vaksinës”, tha Manastirliu.
Duke hedhur poshtë akuzat e Shehut, Manastirliu ka nënvizuar se vaksinimi me dozën e tretë po vijon, teksa qeveria ka siguruar disponibilitetin e vaksinave për të treja dozat.
“Qeveria ka bërë të pamundurën për të siguruar disponibilitet të vaksinave. Qeveria ka bërë të pamundurën për të rezervuar për çdo qytetar vaksinën dhe sot jemi duke bërë dozat e treta. 123 mijë qytetarë kanë bërë dozën përforcuese. A jemi aty ku duhet? Sigurisht ka ende shumë për të bërë. Por jo me këtë lloj propagande negative që bëhet për vaksinimin dhe akoma më keq fatkeqësisht me ato çfarë nxirren nga goja juaj që thjesht hedhin tymnaje mbi atë çfarë duhet të bëjnë njerëzit dhe se bëjnë pikërisht për arsye të kësaj politike që ju doni të mbillni.Në fakt nuk keni bërë gjë tjetër përveçse nga fillimi i pandemisë vetëm keni hedhur baltë mbi çfarëdolloj gjëje që ka bërë kjo qeveri por mbi të gjitha keni dëmtuar shëndetin e qytetarëve. Dhe kjo është më e tmerrshmja”, deklaroi Manastirliu.