01 Dhjetor, Tiranë- Në Ditën Ndërkombëtare të HIV/AIDS, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se trajtimi për këtë sëmundje në vendin tonë është përmirësuar. “Sot është edhe një ditë tjetër e rëndësishme. Një ditë e cila na fton për të berë një bilanc të asaj që ne kemi bërë deri më tani për të evidentuar, për të parandaluar, për të trajtuar sëmundjen e HIV-AIDS. Është një sëmundje infektive e cila prek shumë njerëz në botë dhe që trajtimet për këtë sëmundje kanë ardhur në përmirësim e sipër. Shqipëria ka një mbulim shumë të mirë të trajtimit të sëmundjes së HIV-AIDS, të infeksionit HIV-AIDS. Ajo çfarë ka ndodhur është që në këto vite të pandemisë apo muaj të pandemisë ne kemi synuar që të vijojmë të gjitha ato shërbime në raport me parandalimin, me ndjekjen dhe me trajtimin e sëmundjes infektive të HIV-AIDS”, deklaroi Manastirliu.

Manastirliu vuri theksin tek vaksinimi me dozën e tretë për personat e prekur nga HIV/AIDS api apo sëmundje kronike. ‘”Ajo çfarë është e rëndësishme dhe dua ta theksoj është që për të gjithë njerëzit të cilët vuajnë nga kjo sëmundje por edhe që kanë sëmundje të tjera të cilat lidhen jo vetëm me sëmundjet infektive por gjithashtu edhe me sëmundje të cilat janë sëmundje kronike që i bashkëshoqërojnë përgjatë gjithë jetës, sikurse janë ata të cilët janë të transplantuar apo të cilët janë me dializë, apo me sëmundje tumorale, doza e tretë, doza përforcuese është esenciale”, nënvizoi Manastirliu.

Pavarësisht situatës së vështirë të pandemisë COVID-19, MSHMS ka bërë hapa para për të kapërcyer pabarazitë në aksesin në shërbimet thelbësore të HIV-it. Ofrohet testim falas dhe konfidencial për çdo person, sipas protokolleve më të fundit të OBSH. Është rritur aksesi për trajtimin e personave të prekur nga virusi HIV, ku vetëm këtë vit, 101 raste të reja kanë hyrë në terapi me antiretroviralë si dhe është garantuar vaksinimi për personat me HIV.

37.7 milion persona jetojnë me HIV në të gjithë globin. 1.5 milion raste te reja u infektuan me HIV ne 2020. 680 000 persona me AIDS humben jeten per shkaqe te lidhura me AIDS ne 2020. 79.3 milion persona janë infektuar me HIV që nga fillimi i pandemisë.

Në vendin tonë infeksione të reja të të prekurve nga HIV për periudhen Janar-Nentor 2021 në total janë 91 të infektuar, prej tyre 65 meshkuj dhe 25 femra dhe 9 te rinj. Për 2021 janë shënuar 10 humbje jete në total për shkak të HIV-AIDS.