Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Në Shqipëri që prej vitit 1993 janë rreth 1500 raste në total, nga të cilat 71% e të prekurve janë meshkuj dhe 29 % femra.
Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.
Dita Botërore e HIV/AIDS-it organizohet nën sloganin
“Drejt zeros: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS”
Faktet kryesore për HIV/AIDS
HIV vazhdon të jetë një çështje madhore globale e shëndetit publik që ka marrë më shumë se 34 milionë jetë deri tani. Vetëm në vitin 2014, rreth 1.2 milionë njerëz kanë vdekur globalisht nga shkaqe të lidhura me HIV-in.
Në nivel global, deri në fund të vitit 2014, numri i personave që jetojnë me HIV ishte rreth 36.9 milionë, me 2 milionë raste të reja vetëm në vitin 2014.
Infeksioni HIV diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Këto teste japin rezultate të shpejta; esenciale për diagnozën dhe trajtimin e hershëm.
Nuk ka shërim për infeksionin HIV. Megjithatë, trajtimi efektiv me medikamente antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojë virusin në mënyrë që personat me HIV të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
Është vlerësuar se, aktualisht vetëm 51% e personave me HIV dinë statusin e tyre të infektimit me HIV, pra nëse ata janë të infektuar apo jo.
Në vitin 2014, 14.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, të cilët përfaqësojnë 40% të personave që jetojnë me HIV, morën terapi antiretrovirale në nivel global.
Çfarë është HIV-i?
HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Virusi shkatërron dhe dëmton gradualisht funksionin e qelizave të imunitetit. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave CD4.
Çfarë është AIDS-i?
AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS është dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar të tij. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportunistë apo të kontrollojë disa tumore, duke u shfaqur edhe AIDS. AIDS apo i njohur si SIDA është përcaktuar si zhvillimi i disa lloje kanceri, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS-it. Kjo do të thotë që një person i cili është i infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk është me patjetër i sëmurë me AIDS. Ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.
Cilat janë shenjat e AIDS-it?
Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre/statusit pozitiv deri në fazat e vonshme.
Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit. Koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave është e pamundur të llogaritet. Kjo kohë është e ndryshme për persona të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale dhe psikologjike. Me futjen e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe sigurisht mbijetesa e të sëmurëve.