U prezantua sot fillimi i projektit të dixhitalizimit të arkivave fizikë të kadastrës, projekt që do të zbatohet nga agjencia Shtetërore e kadastrës dhe AKSHI, me një financim në vlerën 650 milionë lekë nga buxheti i shtetit.
“Ky është fillimi i fazës së fundit të çlirimit të qytetarëve nga barra e kadastrës” – e cilësoi Zëvendës Kryeministri Arben Ahmetaj projektin që do të zbatohet përgjatë dy viteve të ardhshme ku pritet të finalizohet dixhitalizimi i 4 milionë pasurive, duke filluar në 2022 me pronat në bregdet e në vijim deri në fund të 2023 të përfundojë dixhitalizimi i plotë dhe skanimi i referencave për gati 2.5 milionë dosje.
Ahmetaj e konsideroi një betejë me të kaluarën, teksa iu referua arkivave që nuk janë prekur për 30 vite: “duket sikur je në një nga kështjellat në ato librat e vjetra të letërsisë së rilindjes franceze ku profilizohej ai punonjësi burokrat, në fund të korridorit, me syze, në një mal me letra me pluhur. Imagjinoni punën e një punonjësi të kadastrës kur një qytetar kërkon të drejtën e vet, me ditë e me muaj të tëra duhet të gërmojë në kadastër për të gjetur të gjitha lidhjet e pronës ndër vite, vendime gjykatash, komisionesh, apo transaksione që janë bërë ndër vite e vite. Sistemi bën të mundur që me një klik, në një minutë qytetari të ketë dokumentin e pronës në telefonin e tij: – tha zv.Kryeministri në fjalën e tij.
Ndërsa theksoi se përgjatë tetë viteve deri në 2013 ishin bërë vetëm 20 mijë legalizime, e sot janë mbi 200 mijë të tilla, Ahmetaj tha se ka akoma shumë për të bërë në favor të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe përmirësimit të ekonomisë: asnjëherë nuk është mjaft dhe një vend që ndalon pedalimin e reformave, është i destinuar të ngelet prapa të gjithëve. Reformat janë motori kryesor i ndryshimit shoqëror dhe i ndryshimit të vendit dhe shumë shpejt, vitin tjetër, në Mars-Prill, shërbimet satelitore me Shqipëria 1, Shqipëria 2 do jetë realitet, po i bëjmë me aleatët tanë, në funksion të monitorimit dhe ruajtjes të territorit nga kaosi dhe në funksion të bërjes së shërbimeve online, që të vijnë të gjitha në celularin tuaj. Me këtë hap ne sigurojmë që e ardhmja e Shqipërisë është e qytetarëve, nuk është e kaosit.” – tha ai.
Fjala e plotë e Zv. Kryeministrit
Të nderuar miq të pranishëm faleminderit për pjesëmarrjen.
Dua ta ndaj me qytetarët që kjo që po bëjmë sot është fillimi i fazës së fundit të çlirimit të qytetarëve nga barra e kadastrës. E drejta e pronës, e drejta e të gëzuarit të pronës është në themel të të drejtave universale të njeriut dhe midis qytetarit dhe pronës qëndron një institucion i cili ose ia bën të vështirë, ose ia bën të lehtë gëzimin e pronës që ja ka dhënë trashëgimia, puna, djersa e ballit dhe Zoti.
Dhe një institucion ka për detyrë, përderisa qëndron aty midis qytetarit dhe të drejtës së tij legjitime, universale, të përjetshme, për të gëzuar pronën dhe pronës së vet, ka detyrë të inovojë dhe nuk jam duke folur thjesht për ASHK-në, jam duke folur për një qeveri të tërë dhe për një qasje të tërë në shërbim ndaj qytetarëve.
Zgjidhja e çështjes së pronës nuk është thjesht një çështje legale, patjetër që është dhe çështje legale, por është edhe çështje proceduriale.
Imagjinoni dikë nga ju apo nga qytetarët që na dëgjojnë që ka një pronë në bregdet, po kalon vite e mund të pafund për të pasur në dorë letrën që të gëzojë e të shijojë pronën e vet që e ka fituar me djersën e ballit apo që ia kanë trashëguar prindërit.
Çfarë bëjmë me ketë hap? Me këtë qeveria e vendos veten drejtpërsëdrejti përgjegjëse për ta bërë fare të thjeshtë, për ta bërë fare transparente, për ta bërë fare të shpejtë gëzimin e pronësisë nëpërmjet një klikimi.
Është punë e madhe; shumë punë është bërë, se natyrshëm jemi mësuar që të kritikojmë, madje diku bëhet edhe në modë kritika, por dua të them që këtu me kadastrën kemi shumë punë për të bërë. I patë arkivat? I patë filmimet e arkivave? Jemi në 2021, ato janë arkivat e 1950, 1960 e më përpara. Imagjinoni punën e një punonjësi të kadastrës kur një qytetar fillon dhe kërkon të drejtën e vet, letrën e vet për të gëzuar pronën e vet; me ditë e me muaj të tëra duhet të gërmojë në kadastër për të gjetur të gjitha lidhjet e pronës ndër vite, apo vendime gjykatash, apo vendime komisionesh, apo vendime institucionesh, apo transaksione që janë bërë ndër vite e vite.
Kjo që po bëjmë nuk është thjesht dixhitalizim, teknikisht sigurisht që është dixhitalizim por përtej saj në themel është çlirim i qytetarëve dhe heqje e një hallke të rëndësishme burokratike ku qytetarët nuk do të kenë përballë një institucion, pra ASHK-në, por do të kenë një sistem i cili në arkivat e veta dixhitale i ka të gjitha transparente, i ka aty në sekondën që duhen dhe me një klik ti do arrish të kesh, ajo që iu referua Kryeministri, për një minutë, të kesh pronën, letrën e pronës në telefonin tënd.
Po çfarë është kjo? Kjo është një betejë më të kaluarën, betejat me të kaluarën asnjëherë nuk janë të thjeshta. Unë prapë i referohem arkivës, e patë, duken si kështjellat e fundit të të kaluarës në ato librat e vjetra të letërsisë së rilindjes franceze ku profilizohej ai punonjësi burokrat, në fund të korridorit, me syze, zhytur në një mal me letra me pluhur.
Ato janë arkivat, nuk janë prekur për 30 vite. Shumëkush thotë: po mburreni që po i prekni tani? Po mburreni që po i ndryshoni tani? Jo, aspak, nuk po mburremi fare për atë që po nisim sot, por thjesht po bëjmë punën tonë. Kemi filluar një revolucion dixhital, përse? Një revolucion dixhital për të thënë që Shqipëria 2030 është një shoqëri e teknologjisë së informacionit? Jo, shoqëria e teknologjisë së informacionit presupozon që qytetarët në raport me veten, me institucionet, të jenë të çliruar nga zinxhirët e burokracisë; që aty ku është burokracia nuk është e duhur të kthehet në një mortje të përditshme për qytetarët, prandaj e quajta fillimin e fazës së fundit të çlirimit të qytetarëve nga barra e kadastrës.
Duhet ta pranojmë që shumë është bërë në teknologjinë e informacionit, janë shumë e shumë shërbime, 95% e shërbimeve janë online.
Kur e nisëm këtë revolucion para 3 vite e gjysmë kishte edhe cinik, patjetër që pyesnin “si do ta bëni”, “shqiptarët duan të venë tek dritarja, aty te dera e institucionit, ta shohin në sy atë që është në anën tjetër, pastaj ta prekin, pastaj të marrin letrën, por po nuk morën letrën nuk quhet” etj etj.
Ja ku jemi sot, sot ka mbi 500 mijë shërbime në vit, do të venë 1 milion, 2 milion, 5 milion, patjetër dhe kultura e shoqërisë dhe e qytetarëve po shkon drejt lehtësimit të jetës së tyre nëpërmjet digjitalizimit, ky është edhe thelbi, të gjitha ato që bëjmë po shkojnë në shërbim të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe të sipërmarrjes.
Projekti është me 2 faza: në vitin 22’ do marrim të gjithë fashën e bregdetit, do ta dixhitalizojmë të gjithë arkivën e asaj pjese, ndërkohë paralel po zhvillohet procesi i përmirësimit të sistemit që nga 700 mijë prona të dixhitalizuara, të kalojmë tek 1 milion e 700 mijë prona dhe pastaj të shkojmë mbi 4 milion prona në 2 vite.
Kryeministri e ndjek këtë projekt përditë, se ndjeshmëria plus e drejta e qytetarëve është shumë herë më e fortë sesa një premtim që kurrë nuk duhet të ngelet në letër. Jemi duke i shërbyer një të drejte universale të qytetarëve tanë.
Dhe dua të falenderoj donatorët, dua të falenderoj Shtetet e Bashkuara, USAID-n, jo vetëm për ndihmën qoftë financiare dhe qoftë teknike, por edhe për shtytjen që na kanë dhënë në vazhdimësi.
Pyetja që bëjmë së bashku është: kujt i takon Shqipëria? Kush e ka pronë Shqipërinë, kaosi apo qytetarët? E pra me këtë hap ne sigurojmë që e ardhmja e Shqipërisë është e qytetarëve, nuk është e kaosit.
Falenderoj Komisionin Europian për ndihmën jo thjesht financiare por edhe mbështetjen që na jep në revolucionin digjital në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të shërbimeve. Falënderoj gjithë donatorët, Qeverinë Gjermane, G20, Bankën Botërore, që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim që nuk ka qenë i thjeshtë. Ligji nr.7501 i dikurshëm i 92-shit, praktikisht sot është përpara nesh për ta zgjidhur njëherë e mirë, do kemi të gjithë atë pjese të Shqipërisë të dixhitalizuar.
Pastaj së bashku me Komisionin kemi filluar një projekt shumë të mirë, shumë interesant, shumë të domosdoshëm për dixhitalizimin e hartave dhe më pas së bashku me aleatët tanë ne po kalojmë në shërbime satelitore të monitorimit të territorit. Shumë shpejt, vitin tjetër, në Mars-Prill, praktikisht ajo që dikush diku qeshi, shërbimet satelitore me Shqipëria 1, Shqipëria 2 do jetë realitet, po me aleatët tanë, në funksion të monitorimit të territorit, në funksion të ruajtjes të territorit nga kaosi dhe në funksion të bërjes së shërbimeve online pra që shërbimet të vijnë të gjitha online në celularin tuaj, në celularin e qytetarëve.
Ndërkohë, sigurisht që nuk dua ta anashkaloj një fakt, një fakt të rëndësishëm që shumë qytetarë e kanë prekur. Në 2013 ishin rreth 20 mijë legalizime të bëra, mendojeni këtë, unë mendoj që ne nuk kemi bërë mjaft, kemi shumë për të bërë, jashtëzakonisht shumë për të bërë, por mendojeni që në 2013 ishin vetëm 20 mijë legalizime të bëra. Sot janë mbi 200 mijë legalizime të bëra.
Dikush mund të thotë: po ju mburreni me këtë? Jo, nuk ka mbaruar procesi, procesi vazhdon por në qoftë se në shumë e shumë vite u bënë vetëm 20 mijë, në krye të 7-8 viteve, nuk po i referohem fare pjesës së bërjes së ligjeve por po i referohem pjesës konkrete, janë 200 mijë.
Ne do të vazhdojmë punën në këtë drejtim por Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka detyrë të jetë fytyra transparente, fytyra e buzëqeshur, fytyra në gatishmëri e një qeverie. Besimi vjen me transparencë, eficencë, modesti, përulje me shërbimin ndaj qytetarëve por rrugën e kemi të gjatë për të përmirësuar shërbimet, për të përmirësuar ekonominë.
Dje dolën disa statistika të ndërmarrjeve për 3 mujorin e tretë, ishin shumë pozitive, që tregojnë që ringritja ekonomike tashmë po konsolidohet. U provuam në tregjet ndërkombëtare, u provuam me rritjen ekonomike, por kemi shumë punë për të bërë, jashtëzakonisht shumë punë për të bërë. Asnjëherë nuk është mjaft dhe një vend që ndalon pedalimin e reformave, që nga reforma në drejtësi dhe deri tek reforma në shërbime, ai vend është i destinuar të ngelet prapa të gjithëve, një vend që pedalon pafundësisht duke mos harruar asnjë sekond se reformat janë motori kryesor i ndryshimit shoqëror dhe i ndryshimit të vendit, ai vend ia del.
Faleminderit dhe puna e mbarë.