Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bubq për të dorëzuar 45 apartamente dhe 77 njësi individuale banimi, banorëve që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai tha se: “Dorëzojmë shtëpitë që shumica ose të gjithë ju në momentet e para as nuk kishit fuqi të besonit që do ndërtoheshin, shtëpi qe sot jo vetëm ju japin juve banorëve të një qyteze të re, një strehë më të bukur dhe të fortë se ajo që humbët, po dhe mundësinë për një jetesë të re. Ky ka qenë qëllimi i programit të rindërtimit, të krijojmë mundësi më të mira se ato para tërmetit.”
“Unë e kujtoj shumë mirë momentin e parë dhe takimet këtu me banorët dhe sytë e zbrazur nga çdo shpresë. Po ashtu kujtoj dhe një konflikt me një nga banorët e revoltuar se do t’i prishej shtëpia që kishte dhe komplet agresiv në bindjen se do ndërtohej diçka këtu,” u shpreh Rama. “Nuk ka qenë e lehtë dhe është dashur kohë dhe mos të harrojmë se kaluam dhe fatkeqësinë e madhe të pandemisë që na detyroi të mbyllemi si kurrë më pare. Kjo krijoi një vonesë brenda harkut kohor që ne pritej ta mbyllnim këtë projekt, megjithatë pyesni të afërmit tuaj që jetojnë në Itali, se sa vite kanë që presin që të kthehen në shtëpi në kabina të prekurit nga tërmëti dhe nuk janë kthyer ende, dhe këtë shtëpi nuk do e marrin falas. Ky program nuk ngarkon familjet me asnjë qindrakë kredi por u kthen njerëzve një shtëpi më të bukur dhe më të fortë 100% falas dhe është e drejta juaj ta trashëgoni, ta shisni e ta jepni me qira nëse doni” theksoi ai.
Plani i ri zhvillimor për këtë zonë e kthen në një pol të ri modern, jo vetëm një qendër urbane model, por edhe si një mundësi për të zhvilluar bujqësinë dhe agroturizmin me një hov që nuk e kishte më parë.
Bubqi do të ketë gati 1900 metra katrorë hapësira të gjelbëra, ndërsa i shtohet parku qendror dhe amfiteatri, tre zonat e mëdha të zhvillimit ku dy janë për banesat kolektive dhe tjetra për banesat individuale.Një zonë e katërt zhvillimi është ajo e shkollës 9-vjeçare, e cila zgjerohet në funksione e kthehet në një qendër komunitare për t’i dhënë fëmijëve të Bubqit standardet e shkollimit të njëjta me fëmijët e qyteteve të mëdha të vendit.Pjesë e planit zhvillimor është qendra e re administrative dhe tregu i ri lokal, ku banorët mund të sjellin prodhimet e tyre bujqësore.Tetë mijë banorë të Bubqit, të cilët deri dje nuk kishin asnjë shërbim në njësinë e tyre administrative, madje as një qendër të mirëfilltë, tashmë do të kenë të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Me përfundimin e procesit të rindërtimit, Bubqi do të mund të kthehet në atraksion për qytetet e mëdha që ka afër, pasi krijohen më së miri kushtet për zhvillimin e agroturizmit.
Bubqi, duke qenë aq afër Krujës dhe Tiranës e duke u zhvilluar në një hap me to, përmes rindërtimit, do të ketë më shumë mundësi për punësim, për biznese të reja dhe për rritje ekonomike.
Gjithçka e ringritur tani bëhet me buxhetin e shtetit, ndërsa shtëpitë e reja u jepen falas, pas asnjëlloj detyrimi qytetarëve të dëmtuar, ashtu si po u jepet bonusi i qirasë atyre që nuk janë ende në shtëpi, apo dëmshpërblimi për të tjerët.