Borussia e Dortmundit nuk i ka hequr shpresat për rinovimin e kontratës së Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez, ndër më të mirët në qarkullimi gjatë viteve të fundit, kërkohet nga klubet më të mëdha në Evropë dhe sipas klauzolës së në kontratën e nënshkruar me verdhezinjtë mund të largohet për 75 milionë euro.
Prestigjiozja gjermane “Bild”, shkruan këtë të mërkurë që Dortmundi do t’i ofrojë dyfishin e pagës për ta bindur që të qëndrojë. Pra, nga 8 milionë euro në sezon, gjiganti nordik do të përfitonte plot 16 milionë, falë një marrëveshjeje “faraonike” të arritur me sponsorin e klubit, Puma.
Nëse do ta pranojë ofertën e verdhezinjve, Haaland do të shndërrohet automatikisht lojtari më i paguar, duke lënë pas edhe ikonën e Dortmundit, 32-vjeçarin Marco Reus, që po falë marrëveshjes me Puma-n paguhet 12 milionë në sezon.
Manaxheri i Haalandit, Mino Raiola, nuk e ka përjashtuar mundësinë që klienti i tij të qëndrojë në Dortmund, megjithatë shumë të do të varet edhe nga ecuria e verdhezinjve gjatë pjesës së dytë të sezonit. Nëse skuadra e Marco Rose nuk do të arrijë të kualifikohet në Champions, atëherë do të ishte jashtë logjike që talenti norvegjez të qëndronte në “Signal Iduna Park”. Reali i Madridit, Manchester United, por edhe Barcelona po presin me vëmendje zhvillimet e merkatos, me shpresën se mund të bëjnë të tyrin 21-vjeçarin./SS