Nga nisja e aplikimit të dozës së tretë të vaksinës anti-COVID, deri më tani e kanë marrë atë 85.545 qytetarë. Kështu ka deklaruar zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini gjatë një raportimi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Tomini theksoi se më të prekurit nga koronavirusi rezultojnë qytetarët e grupmoshave 55-64 vjeç, të cilët përbëjnë 19% të rasteve, teksa ndiqen nga grupmosha 25-34 që përbëjnë 17% të rasteve me COVID.
“Kemi trend të qëndrueshëm të hasjes së rasteve pozitive të paktën në 4 javët e fundit, kemi pasur rënie të incidencës gjatë javës së fundit. Incidenca ka qenë më e ulët se në vitin 2020. Në 2 javët e fundit incidenca ka qenë në nivelin 200 rasteve për 100 mijë banorë.
Një vend të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e ka zënë grupmosha 55-64 vjeç me 19% të rasteve e ndjekur nga grupmosha e re 25-34 në nivelin e 17% të rasteve me COVID. Nga 1 nëntori ka vijuar rekomandimi dhe zbatimi i hyrjes në fuqi të aplikimit të dozave të treta për popullatën mbi 18+. Për të gjithë popullatën aktualisht janë aplikuar 85.545 doza të treta”, tha Tomini.
Nga 22 nëntori Komiteti Teknik i Ekspertëve i dha dritën jeshile aplikimit të dozës së tretë anti-COVID për mbi 60-vjeçarët. Ndërkohë nga 2 dhjetori rekomandohet edhe për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç. Doza e tretë aplikohet tek qytetarët vetëm 6 muaj pasi ata të kenë kaluar koronavirusin.