Vala e re e Covid ka goditur gjithë Europën. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka publikuar hartën e re e rajonit ku të gjitha shtetet janë me ngjyrë të kuqe të errët me përjashtim të Italisë dhe Spanjës.

Harta e përditësuar e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), tregon se të gjitha shtetet e Bashkimit Europian kanë një rrezik të lartë infektimi. Incidenca më e lartë e rasteve, sipas ECDC, është në Gjermani, Beneluks, Irlandë, Greqi dhe Evropën Lindore. Shteti që ka rrezikun më të ulët është Italia, pasi ka 7 rajone me ngjyrë të verdhë, ndërsa Spanja ka vetëm një rajon me të verdhë.

Të gjitha shtetet europiane janë vënë në alarm nga mutacioni i ri Omicron. Autoritetet europiane thonë se Janari i vitit të ardhshëm do të jetë edhe piku i valës së re të infektimit për shkak edhe të festave të fundvitit. Ndaj shumë shtete kanë ashpërsuar masat kryesisht për personat e pavaksinuar. Përqindja e vaksinimit në vendet e BE-së varion nga 65-80% të popullsisë.