Në këto ditë festash dhe mbyllje të një viti të vështirë, Shoqata Humanitare “Mirësi për Botën” në bashkëpunim me bashkinë Elbasan kanë menduar që t’i gjenden familjeve me vështirësi ekonomike, për t’u krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë si gjithë të tjerët.

Nën moton “Vit i Ri, Shpresë e Re”, vetëm në bashkinë Elbasan dhe 12 njësitë e saj administrative janë shpërndarë rreth 6000 pako ushqimore për familjet dhe individët në nevojë, ndërkohë që në total do të arrijnë në 12 000 pako.

Mohummed Sayed, drejtor i Shoqatës Humanitare “Mirësi për Botën” u shpreh se falë mbështetjes gjithnjë e në rritje nga donatorët, do të shpërndahen 12 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë, kryesisht në Elbasan, Has dhe Kukës.

“E nisëm këtë fushatë duke synuar shpërndarjen e 2,000 pakove ushqimore vetëm në qytetin e Elbasanit. Na u kërkua ta rritim këtë numër për shkak të nevojës së madhe. Dalëngadalë ne vazhduam këtë rritje derisa arritëm në 12,000 familje. Sa më shumë mbështetje morëm ne aq më shumë ndihmë patëm për të vazhduar të rritim fushatën tonë. Pjesa më e madhe e kësaj ndihme do të shpërndahet në Elbasan, Has dhe Kukës. Ne po mbështetim njerëz pa dallime fetare, race apo orientimi. E dimë se kjo pako e vogël nuk do t’i zgjidhë problemet e njerëzve, megjithatë lutem që ajo tu japë shpresë dhe rehati për vitin e ardhshëm”, nënvizoi Mohummed Sayed.

Duke falënderuar donatorët për besimin dhe mbështetjen në këtë fushatë, Mohummed Sayed, deklaroi se “Mirësi për Botën” ka si qëllim primar fuqizimin e jetimëve në të gjithë botën dhe t’u vijë në ndihmë të gjithë njerëzve të varfër.

“Ne jemi një organizatë jo fitimprurëse e joqeveritare nga Mbretëria e Bashkuar, me qëllim primar fuqizimin e jetimëve në të gjithë botën dhe në ndihmë të të gjithë njerëzve të varfër. Për ne, përfituesit tanë janë të parët. Ne gjithashtu kemi edhe objektiva të tjera shtesë si lehtësimi i varfërisë, edukimi, ndihma mjekësore, projektet e strehimit, strehat e dhunës në familje, gjetja e projekteve në ndihmë të punësimit të njerëzve si dhe mbështetja e kafshëve”, deklaroi Mohummed Sayed.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se ky bashkëpunim na jep vullnetin për të vazhduar përkushtimin tonë për t’u solidarizuar më shumë me njëri-tjetrin dhe për ta kthyer këtë fushatë në një traditë të përvitshme.

“Shpreh në mënyrë të veçantë vlerësimin dhe respektin për mikun dhe bashkëpunëtorin tonë Muhamed i cili me përkushtimit e tij po tregon me vendosmëri përgjegjësinë që ndjejmë dhe marrim ndaj njëri-tjetrit. Përgjegjësi që mbart në vetvete fuqinë për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ky bashkëpunim na jep vullnetin për të vazhduar përkushtimin tonë për tu solidarizuar më shumë me njëri-tjetrin dhe për ta kthyer këtë fushatë në një traditë të përvitshme, ku mblidhemi të gjithë, për tu ardhur në ndihmë të gjitha shtresave të shoqërisë sonë, të bashkuar me një zë të vetëm për njerëzit që kanë nevojë për ne”, tha Llatja.

Llatja shprehu besimin se nëpërmjet partneritetit dhe bujarisë mund të përmirësohet jeta e qytetarëve që përballen me sfida, që kanë më pak mundësi se të tjerët.

“Ne jemi të gjithë anëtarë të së njëjtës shoqërisë dhe kemi përgjegjësinë të ndihmojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin, të kontribuojmë në krijimin e mundësive për një jetë dinjitoze për të gjithë, kemi përgjegjësinë për të krijuar një shoqëri me mundësi të barabarta. Ne e kemi këtë fuqi dhe e bëjmë këtë mundësi që t’i qëndrojmë pranë secilit anëtar të kësaj familjeje të madhe”, nënvizoi Llatja.

Shoqata Humanitare “Mirësi për Botën” po realizon një sërë projektesh të rëndësishme në Shqipëri, duke ndihmuar një numër të konsiderueshëm familjesh në pamundësi. Aktualisht 170 fëmijë pa prindër po mbështeten financiarisht ndërkohë që ky numër shumë shpejt do të arrijë në 400. Gjithashtu një bonus i veçantë 150-300 euro në muaj jepet për kujdestarinë e jetimit për çdo familje në varësi të nevojave të tyre.

Një nga projektet më të rëndësishme është dhe ndërtimi i Kompleksit ku do të strehohen jetimë dhe të veja në nevojë. Ata do të strehohen në ndërtesa individuale ku do t’ju sigurohen prej nesh edhe disa ambiente lehtësuese, si: kuzhinë qendrore, bibliotekë, dhomë interneti, qendër shkollimi, palestër etj.