Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti bëri sot apel për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin.

I ftuar në një studio televizive, Alimehmeti renditi edhe disa informacione mbi variantin e ri Omicron.

“Dimë që Afrika e Jugut është në rritje të rasteve, por Botsvana, një shtet tjetër që e ka raportuar, është në rënie. Nga terreni flitet për forma të lehta dhe kur shkojnë gjurmohen një përqindje e tyre rezulton asimptomatike, që është aleati më i mirë i përhapjes. Botsvana thotë se 16 raste ndër 19 janë asimptomatikë. Lajmi i mirë është që nuk ka asnjë rast të rëndë, asnjë rast në spital dhe asnjë rast në oksigjeno-terapi”, tha mjeku Alimehmeti.

I pyetur nëse ka vend për panik, Alimehmeti tha se “deri tani format klinike konfirmohen të lehta”.

“OBSH ka qenë korrekte në dhënien e informacionit dhe thotë gjithashtu që nuk ka nevojë për bllokim udhëtimesh. Nuk kemi asnjë provë që thotë se efektiviteti i vaksinave kapërcehet. Nuk kemi asnjë provë që Omicron do bëhet dominant dhe asnjë provë që nuk ka efektivitet vaksina. Nga të dhënat nga Izraeli del se vaksina “Pfizer” ka qenë 90 % efikase me Omicron. Ne nuk jemi jashtë botës, por edhe lidhje direkte me Afrikën e Jugut nuk kemi. Kemi me vendet fqinje, por edhe kur të jetë në Shqipëri në qoftë se ne nuk dimë karakteristikat e sjelljes së tij, është apo nuk është, nuk përbën ndonjë shqetësim”, tha ai.