Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar thotë se vendimet për të shpallur një zyrtar apo ish zyrtar si të korruptuar është institucional dhe aspak politik, duke sjellë në vëmendjen rastin e dy ditëve më parë, me sanksionet ekonomike që iu vunë grupit serb në veri të Kosovës.
“Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.” – shprehet Escobar, në intervistën për gazetarin Sokol Balla në News24, ndërsa pretendimet e ish kryeministrit Berisha se vendimi për shpalljen e tij non grata ka qenë skemë e Sorosit e miqve të tij, i konsideron absolutisht të gabaruara, madje të rrezikshme sipas tij.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Dakord, atëherë le ta çojmë bisedën drejt e në thelb. Departamenti i Shtetit e cilësoi Sali Berishën dhe familjen e tij si ‘non-grata’ për SHBA-në dhe ky ishte rasti i katërt pas Llallës, Dakos dhe Doshit. Shumë njerëz pyesin pse kaq shumë shqiptarë në këtë listë të zezë? Pra, ne nuk e shohim që të ndodhë… ok, duke përjashtuar rastin e veriut të Kosovës dhe Serbisë në dy ditët e fundit, nuk e kemi parë të ndodhë kaq shumë në Ballkanin Perëndimor. Dikush mund të mendojë, a jemi ne shqiptarët më të këqijtë e djemve të këqinj?
ZV/NS Escobar: Jo! Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik.
Sokol Balla: Dakord, por shumë njerëz do të thoshin se në rastin e Berishës, ka qenë larg pushtetit për shumë vjet, 8 vjet tani, dhe ka njerëz të tjerë që janë në pushtet dhe Shqipëria ishte dhe vazhdon të tjetë një vend ku korrupsioni është i lartë, ose të paktën perceptimi i korrupsionit është shumë i lartë dhe shumë thonë, pse shkoni dënoni Berishën dhe nuk shpallni të tjerë që janë ende në pushtet?
ZV/NS Escobar: Sepse nuk është një vendim politik. Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.
Sokol Balla: Pra po sugjeroni që kur ishte fjala për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij, puna ndodhi edhe nën administratën Trump?
ZV/NS Escobar: Po.
Sokol Balla: Dakord, disa këtu thonë se është skemë e Sorosit dhe miqve të tij, përfshi Edi Ramën dhe ambasadoren tuaj këtu.
ZV/NS Escobar: Çfarë thonë?
Sokol Balla: Thonë që Xhorxh Soros po sponsorizon një lëvizje të tillë kundër Sali Berishës sepse Z. Berisha bllokoi ndarjen e Kosovës apo rishkrimin e kufijve me Serbinë.
ZV/NS Escobar: Absolutisht nuk është raste. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme.
Sokol Balla: Pse?
ZV/NS Escobar: Sepse nuk dua që njerëzit t’i shohin këto mendime dhe këto shpallje si mjet politik. Këto janë përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendim-marrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të.
Ai tha se hetuesit vendas dhe prokurorët të hetojën për rastet si këto. “Ku janë hetuesit vendas dhe prokurorët vendas në raste si këto? Dua të them, ne e bëmë sipas ligjeve tona, rregullave tona, autoriteteve tona. Por edhe ju keni disa në vend. Pra, nëse doni ta dini, hetoni. Nëse doni të dënoni, bëni ndjekje penale. Nëse doni të ndëshkoni, dënoni njerëzit që janë pjesë e këtij korrupsioni sepse kjo nuk ka të bëjë me Amerikën që lufton korrupsionin në Shqipëri, por ka të bëjë me Amerikën që mbështet luftën tuaj kundër korrupsionit. Kjo është pyetja ime”, tha Escobar.
Ndërsa i pyetur nëse SHBA do të veje në dispozicion provat dhe të dhëna për sistemin shqiptar të drejtësisë kur vjen fjala tek rasti i Z. Berisha dhe familjes së tij, Escobar u përgjigj: “Kemi një sistem të shkëlqyer bashkëpunimi në ligjzbatim dhe bashkëpunim ligjor dhe po, mund ta bëjmë”. /BW