Statusi i veçantë për “Fëmijët në përkujdesje të Republikës” do të sigurojë mbështetje direkte për fëmijët e të ndjerëve që kanë rënë në krye të detyrës.
“Sot, është dita që premtimi të bëhet realitet, dita kur ne bëjmë një gjest domethënës, si konfirmim i mirënjohjes sonë të pakufishme për sakrificën e këtyre profesionistëve të shëndetit. Fëmijët e tyre duhet të shkojnë përpara në jetë me vetëdijen se prindërit e tyre dhanë jetën për vlerat tek të cilat ne besojmë, dhe në shërbim të gjësë më të çmuar të jetës. Ashtu sikurse duhet të jenë të sigurt se ne mbetemi mirënjohës ndaj veprës së tyre, sot e kurdoherë. Përkrahja dhe përkujdesi ynë për fëmijët e heronjve tanë, do të materializohet sot, me një mbështetje konkrete për secilin prej tyre “, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës do t’i shoqërojë ata derisa të dalin e jetë.
“Me këtë ligj, fëmijët në përkujdesje të Republikës do të marrin statusin e veçantë të ‘Dëshmorit të Atdheut’, duke përfituar pagën mujore më të lartë të prindit që ka humbur jetën, për sado kohë të ketë qenë i punësuar prindi në atë detyrë, përgjatë gjithë viteve të fëmijërisë. Mbështetja materiale nuk përfundon me moshën madhore, por vazhdon deri në moshën 25 vjeç, nëse fëmija ndjek shkollën e lartë”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se ky ligj do të ketë efekt prapaveprues për fëmijët e mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën në krye të detyrës gjatë pandemisë.
“Do të jetë mbështetje financiare, bashkë dhe trajtime të tjera plotësuese. Do të përfitojnë të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të një “Dëshmori të atdheut”; Fëmijët apo personat nën kujdestari të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së tjetrit. Fëmijët e atyre që kanë qenë në krye të detyrës, në kushte apo situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, duke u vetësakrifikuar. Ky projekt-ligj, me t’u kthyer në ligj, do të ketë efekt prapaveprues për fëmijët e mjekëve dhe infermierëve që humbën jetën në krye të detyrës gjatë pandemisë. Dhe mbështetja financiare do të jetë e plotë”, nënvizoi Manastirliu.
Ligji për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” garanton mirëqenien dhe zhvillimin e jetës së fëmijës, nëpërmjet ndihmës dhe përkujdesjes efektive të shtetit. Paga e prindit do të jepet 100 për qind atëherë kur qytetari i rënë në krye të detyrës ka patur një fëmijë. Pra fëmija do të ketë mbështetje të përmuajshme me pagën e plotë të prindit. Në rast se i ndjeri që merr statusin “Dëshmor i atdheut” ka patur dy fëmijë, atëherë për secilin prej fëmijëve do të jepet 70% e pagës mujore të prindit. Në rastet kur janë tre fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, përfitohet 50% e pagës së prindit për çdo fëmijë; 40 për qind për çdo fëmijë, kur janë 4 fëmijë dhe 30% për çdo fëmijë, kur janë më shumë se 4 fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Pra pagesa për fëmijët që do të jenë në përkujdesje të republikës do të jetë nga 100% deri në 150% të pagës së prindit që ka rënë në krye të detyrës. Përveç trajtimit financiar, këta fëmijë do të kenë mbështetje për edukim e arsimim, punësim, mbrojtje sociale dhe në shërbimin shëndetësor publik e privat.