Forcat e armatosura gjermane e përshëndetën të enjten (02.12.2021) Angela Merkelin me vlerësimin më të lartë ushtarak gjerman për personat civilë: me një paradë ushtarake. Ushtarë me pishtarë në duar dhe një bandë muzikore bënë një ritual lamtumire, sipas një koreografie të përpiktë, të përcaktuar që në vitin 1838. Në fund, ushtarët hoqën helmetat në shenjë nderimi për Merkelin.

Kancelarja e ndoqi ceremoninë herë pas here e përlotur. Kamerat e treguan me lot në sy kancelaren, kur dëgjonte tri dëshirat muzikore të saj për ceremoninë: fillimisht hitin e famshëm të vitit 1974 të Republikës Demokratike Gjermane „Du hast den Farbfilm vergessen”, (“Ti e ke harruar filmin me ngjyra”), të këngëtares së muzikës punk, Nina Hagen. Pasoi pjesa muzikore”Für mich soll es rote Rosen regnen”(“Për mua le të bjerë shi trëndafila të kuq”), e këngëtares Hildegard Knef. Ndërsa pjesa e tretë për Merkelin, bijën e pastorit protestant, ishte një himn kishtar i shekullit të 18-të:”Großer Gott, wir loben Dich” („Zot i Shenjtë, ne e lëvdojmë emrin tënd”).

Para rreth 50 ish-ministrave të saj të pranishëm dhe mbi 150 të ftuarve të tjerë, Merkeli mbajti një fjalim të shkurtër. Ajo tha se ndjente “mirënjohje dhe përulësi” për postin që e kishte mbajtur kaq gjatë.

Nisur nga kriza financiare e vitit 2008, kriza e refugjatëve e vitit 2015 dhe pandemia aktuale, Merkeli theksoi varësinë e madhe të Gjermanisë nga bashkëpunimi përtej kufijve nacionalë si dhe vlerën e institucioneve shumëpalëshe.

Merkeli, “die Mutter” (nëna), si e thërrasin në Gjermani, e vazhdoi fjalimin me porosi përkujdesjeje psikologjike dhe shpirtërore për gjermanët. Ajo u kërkoi shtetasve të saj që t’u besojnë fakteve, të tregojnë gatishmëri për t’i kuptuar qëndrimet e të tjerëve dhe që punët t‘i bëjnë me gëzim dhe me zemër. Gjermanëve ajo u la porosi që t’u përvishen detyrave para vetes jo me “negativitet dhe cmirë”, por me “gëzim në zemër”, siç kishte bërë ajo vetë në RDGJ dhe aq më tepër në liri.

“Është ky gëzim në zemër që uroj për të gjithë ne, dhe figurativisht për vendin tonë, edhe në të ardhmen”, përfundoi Merkeli.

Popullaritet i pazakontë i Merkelit

Pak ditë para largimit nga posti i kancelares, të cilin e mbajti për 16 vjet, Angela Merkeli ka një mbështetje fenomenale në opinion. Mbështetja për të edhe sot është mbi 50%.

Dy kancelarët e tjerë pushtetgjatë të Gjermanisë, Konrad Adenaueri dhe Helmut Kohli kishin më pak fat. Adenauerin e larguan në fund nga posti, pushteti i tij u trondit prej sjelljes shpërdoruese të ministrave të tij në aferën e revistës “Der Spiegel”. Helmut Kohli kandidoi për një mandat të pestë dhe i humbi zgjedhjet.

Kurse Angela Merkeli mund të kishte fituar po të kishte rikandiduar. Ajo është kancelarja e parë e Gjermanisë që largohet nga posti me dëshirën e saj.

Ekonomikisht, Merkeli po e lë Gjermaninë shumë më të pasur se ç’e gjeti kur erdhi në pushtet.  Në 16 vitet e qeverisjes prej saj, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Gjermanisë u rrit me rreth 50%. Papunësia thuajse është përgjysmuar.

Mirëqënia dhe fuqia e shtuar e Gjermanisë kanë bërë që të rritet prestigji i Gjermanisë në botë, siç kanë konstatuar sondazhe të organizatave evropiane.

Mjeshtre e pushtetit dhe referencë suksesi

Popullin Merkeli, në vazhdimësi, e ka polarizuar shumë më pak se paraardhësit e saj.

Politikisht, Merkeli e zhvendosi drejt qendrës partinë e saj, CDU-në, jo drejt ekstremeve politike, siç kanë tendencë të veprojnë partitë sot. Kjo e bëri CDU-në të pranueshme për shtresa të gjera të popullit. Megjithë kritikat për zbehjen e karakterit konservator të partisë, kjo i siguroi CDU-së katër mandate në vazhdimësi, në krye të Gjermanisë.

Merkeli nuk po largohet nga posti, për shkak të ndonjë revolte të CDU-së kundër saj, një fenomen tipik për liderë të tjerë që rrinë gjatë në poste. Kritikët e saj ajo i neutralizoi në kohë dhe i bëri të largohen nga gara. Dorëzimi i postit të kryetares së CDU-së dhe mbajtja vetëm e postit të kancelares, një risi te CDU-ja, e pakësoi dhe më tej presionin ndaj saj.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Merkeli ishte pika kryesore e referencës së suksesit madje edhe për opozitën. Kancelari i ardhshëm socialdemokrat, Olaf Scholz, nuk i fitoi zgjedhjet me kritika për Merkelin, por si kandidat i vazhdimësisë së maturisë dhe pragmatizmit të saj.

Për detyrat e së ardhmes, në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, zgjedhësit gjermanë panë të aftë sërish një koalicion të qendrës, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP. Kjo flet për atë që mesi i shoqërisë është ruajtur përgjithësisht i shëndoshë gjatë qeverisjes së Angela Merkelit.

Njëkohësisht, ndërrimi i pushtetit dhe i personelit drejtues me këto zgjedhje parlamentare erdhi në kohën e duhur. Kohët kanë ndryshuar dhe detyrat e shumta që ka Gjermania para vetes, siç janë klima, digjitalizimi, emigrimi, përfitojnë nga fillime të reja.

Stil politik unik i Merkelit

Një rol për popullaritetin dhe suksesin e Merkelit ka luajtur stili unik i udhëheqjes prej saj.

Angela Merkeli i ka qëndruar deri sot larg arrogancës apo humbjes në pëlqimin e vetvetes. Ajo ka drejtuar pa mëndjemadhësi dhe pa interes për inskenime publike. Merkeli ka mbetur deri në fund e përkushtuar ndaj detyrës, e përqëndruar te problemet konkrete, me vëmendje për detajet.

Në kontaktin me njerëzit, Angela Merkeli ka treguar gjithmonë respekt për personin përballë, pavarësisht nga pozita e tjetrit. Pas një kontakti të tillë njerëzor me të, në Gjermani ka pasur jo pak njerëz, më parë të painteresuar, që kanë votuar për partinë e saj e saj, CDU-në.

Ky stil i ri politik është një trashëgimi me vlerë që lë pas Angela Merkeli.

Arkitekte e kompromisit, menaxhuese krizash: momente kulmore

Në 16 vjetët e qeverisjes së Merkelit, Evropa dhe Gjermania kanë kaluar disa kriza. Merkeli ka treguar aftësi të mëdha në menaxhimin e të gjitha krizave. Qytetarët evropianë i shprehën për këtë mirënjohje në një sondazh të fundit evropian, ku dëshironin që Merkeli të bëhej „presidente e Evropës”.

Kriza e refugjatëve është padyshim moment kulmor i mandateve të saj. Në fillim të vitit 2015 po përvijohej se vërshimi i refugjatëve drejt Evropës do të ishte masiv. Do të ishin megjithatë muajt e verës, në të cilat numri i refugjatëve drejt Evropës u bë temë qendrore e politikës evropiane.

Me trena specialë Austria dhe Hungaria i dërgonin refugjatët drejt Gjermanisë. Por numri i të ardhurve ishte ende i kontrollueshëm. Situata ndryshoi kur në datën 4 shtator 2015, kancelari i Austrisë, Werner Faymann iu lut Merkelit në një telefonatë që Gjermania të pranonte disa grupe refugjatësh. Ata, të dëbuar nga Hungaria, po ecnin drejt Austrisë. Faymann propozon që refugjatët që po vinin (hungarezët e kishin njoftuar për 1000 vetë që po ecnin drejt Austrisë) të ndaheshin mes dy vendeve, në një raport dhjetë me një.  Alternativa e Faymann-it ishte një kërkesë ndaj kryeministrit hungarez Orban që t’i ndalonte me dhunë refugjatët.

Do të pasonte një natë e gjatë, ku Merkeli zhvilloi një sërë telefonatash me partnerët e koalicionit qeveritar, socialdemokratët dhe me bashkëpunëtorët e saj të ngushtë. Kryetarin e CSU-së aleate, Horst Seehofer Merkeli nuk e arriti në telefon. “Natë historike” e quan biografi i Merkelit, Ralph Bollmann këtë natë në biografinë e fundit për Merkelin.

U ra dakord që të bëhej “një përjashtim” siç thanë socialdemokratët, një gjest “humanitar”, si tha Merkeli. Në datën 5 shtator u mor vendimi për të lejuar ardhjen e refugjatëve. 20.000 vetë mbërritën atë fundjavë me tren në Bavari. Rreth 800.000 refugjatë, kryesisht me origjinë nga Siria do të vinin gjatë vitit 2015 në Gjermani.

Gjesti i mikpritjes u vlerësua në botë. Ish-kryeministri britanik Tony Blair e ka vlerësuar si një akt “që erdhi nga një frymë dhembshurie”.

Pranimi i refugjatëve fillimisht u përshëndet nga shumica e njerëzve në Gjermani. Në një konferencë shtypi, në 31 gusht 2015 Merkeli u dha zemër gjermanëve, me fjalët: “Ne do t’ia dalim mbanë, dhe atje, ku na e pengon rrugën diçka, duhet ta kapërcejmë…”

“Do t’ia dalim mbanë”, kjo shprehje e Merkelit i ndau për një kohë të gjatë mbështetësit dhe kritikët e ardhjes së refugjatëve. Numri i jashtëzakonshëm i të ardhurve njëherësh, bëri të bjerë në Gjermani mbështetja fillestare entuziaste për refugjatët. Përpjekjet e Merkelit që refugjatët e rinj të ndaheshin në bazë të kuotave në shtetet e BE nuk patën sukses.

Gjermania hyri në krizën më të madhe politike e sociale të mandateve të Merkelit. Pranimi i refugjatëve pati ndikime politike: në Gjermani lindi parti ultra e djathtë, kundër refugjatëve, „Alternativa për Gjermaninë”.

Kur humbja e përkohshme e kontrollit ndaj vërshimit të refugjatëve kërcënoi të bëhej gjendje e vazhdueshme, Gjermania u rikthye në regjimin e mëparshëm të kufijve.

Merkeli e ka mbrojtur deri sot mikpritjen për refugjatët. “Më duhet të them sinqerisht se nëse tani fillojmë të kërkojmë falje kur sillemi miqësisht në situata emergjente, atëherë ky nuk është vendi im”, iu drejtua Merkeli kritikëve të saj në 15 shtator 2015. Merkeli ka thënë se në të njëjtat rrethana do të bënte të njëjtin hap që bëri.

Në një intervistë me Deutsche Welle-n, në nëntor të këtij viti, Merkeli konkludoi: “Po, ia dolëm mbanë.””…jo gjithçka eci në mënyrë ideale…Por në tërësi kemi shembuj të mrekullueshëm zhvillimesh të suksesshme njerëzore, kur kujtoj maturantet dhe maturantët [emigrantë]”.

“Por natyrisht ende nuk ia kemi dalë mbanë që të luftohen shkaqet e migrimit. Nuk ia kemi dalë mbanë që Evropa të ketë një sistem të njësuar azilimi dhe migrimi….Dhe duhet të bëjmë shumë më tepër për ndihmën në zhvillim, për emigrimin legal.”

Pranim historik i borxheve të përbashkëta nga BE

Momenti i dytë kulmor në mandatet e saj është miratimi i Fondit të Rindërtimit nga pandemia nga BE, në shumën 750 miliardë euro. Me këtë rast, Gjermania pranoi për herë të parë një formë eurobondesh. Ky fond i rindërtimit do të financohet me borxhe të përbashkëta, që do t’i marrë Bashkimi Evropian, për t’ua dhënë si grante, jo vetëm si kredi, shteteve në nevojë.

Në një intervistë me gazetat evropiane, në qershor 2020, Merkeli tha se “është në interesin e Gjermanisë që Bashkimi Evropian të mos pësojë kolaps”.

Në këtë kohë, me nuhatjen e saj të jashtëzakonshme për lëvizjet tektonike në opinion, Merkeli kishte regjistruar se qenë bërë këmbëngulëse thirrjet e ekonomisë gjermane dhe ekspertëve, për të shpëtuar shtetet e rrezikuara nga kolapsi prej borxheve të reja, të diktuara nga pandemia, si p.sh. Italinë apo Spanjën.

Në një vizitë në Kancelarinë Federale, përfaqësues të ekonomisë gjermane i thanë Merkelit se nuk do të sillte dobi rihapja e fabrikave të mbyllura prej Covid-19 në Gjermani. Suksesi ekonomik varej nga zinxhirët e furnizimit me shtete si Italia, të rrezikuara tani nga kolapsi.

Për Fondin e Rindërtimit, Merkeli ra fillimisht dakord me presidentin francez Emmanuel Macron në 18 maj 2020. U ra dakord që të viheshin në dispozicion 500 miliardë euro shteteve në nevojë. Në qershor 2020 kjo shumë u rrit nga Komisioni Evropian në 750 miliardë euro.

Merkeli e quajti këtë fond: “një përgjigje të veçantë ndaj një situate të veçantë”. Pavarësisht nga kufizimi në fjalët e deklaratës, shtetet jugore të Evropës e vlerësuan ndryshimin e thellë në pozicionin e Gjermanisë. Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se me metodën e saj, Merkeli e lidhi fort Gjermaninë me Evropën.

Angela Merkeli e ka të sigurtë vendin në histori, nisur edhe vetëm nga kohëzgjatja e pushtetit të saj. Vetëm Otto von Bismarck-u dhe Helmut Kohl-i kanë qeverisur më gjatë se ajo (Kohl-i madje vetëm pak ditë më shumë).

Bismarck-u i bashkoi shtetet gjermane në Perandorinë Gjermane, Kohl-i ribashkoi Gjermaninë e ndarë.

Merkeli formësoi Gjermaninë e sotme moderne. Në largimin e saj nga detyra, Gjermania është bërë jo vetëm fuqia dominuese ekonomike e Evropës, por edhe njëri nga shtetet më të vlerësuara dhe të preferuara në botë. Merkeli arriti me mjeshtëri të barazpeshojë interesat nacionale të Gjermanisë me projektin për zhvillimin e Evropës.

Edhe në marrëdhëniet me Rusinë, Merkeli nuk harroi asnjëherë potencialin e madh të këtij shteti për të ndikuar në botë. Interesat e përbashkëta ekonomike për Merkelin qenë një faktor për të ruajtur dialogun dypalësh. Pa Gjermaninë do të kishte qenë i pamundur vazhdimi i sanksioneve të BE kundër Rusisë.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair e ka quajtur së fundi në mediet britanike “pjesë dominuese të psikikës politike” të Merkelit aftësinë e saj “për të dalluar kompromise dhe për të lundruar në sfidën politike me vëmendje maksimale për zgjidhje praktike, si forcë dhe jo si dobësi”.

Jo vetëm Tony Blair-it do t’i mungojë “antipopulistja e mirëfilltë, në karakter dhe në politikë.” Në vizitën e fundit në Uashington në korrik 2021, Presidenti Joe Biden-i e falenderoi Merkelin për karrierën e saj “të lidershipit të fortë, parimor”. Ai i tha Merkelit se “kurrë nuk harrove të mbrosh dinjitetin njerëzor”.

Angela Merkeli do t’i mungojë edhe Ballkanit, agjendën për zgjerimin e të cilit ajo e mbajti aktive në tryezat evropiane në dekadën e fundit. Ajo do t’i mungojë komunikimit midis Lindjes dhe Perëndimit, për të cilin Merkeli qe e predestinuar edhe për shkak të origjinës së saj nga Gjermania Lindore.

Ndërsa Gjermania do ta kujtojë epokën Merkel, aftësinë e saj për të menaxhuar krizat dhe mirëqënien e kësaj kohe, si një nga epokat e arta./Marrë nga DW