Cristiano Ronaldo ka pasur gjithmonë një raport special me Alex Ferguson. Ylli portugez ishte pjesë e Manchester United në vitet 2003-2009, teksa në verën që lamë pas u rikthye sërish në Old Trafford.
Në pankinë nuk është më legjenda skoceze, CR7 në shkurt do festojë 37-vjetorin e lindjes, por mosha nuk është aspak problem për të, pasi vazhdon të zbavitet në fushë dhe të shënojë gola.
Ferguson ishte personi që ndikoi që Ronaldo të rikthehej tek United, teksa ky i fundit kujton një episod në lidhje me trajnerin e famshëm në prononcimin e dhënë për sajtin zyrtar të klubit.
“Mendoj se është e vështirë të zgjedh vetëm një moment të veçantë në lidhje me Ferguson, por një situatë e kujtoj me shumë dashuri. Ndoshta ai nuk e mban mend, por ato ishin momente shumë të rëndësishme për mua.
Një ditë babai im u shtrua në spital dhe unë isha shumë rëndë në aspektin psikologjik dhe emocional. Fola me trajnerin dhe ai më tha: ‘Cristiano, shko te babai dy ose tre ditë’.
Ishte një periudhë e aspak e lehtë, kishim ndeshje të vështira në atë kohë dhe unë isha lojtar kyç i United. Alex më tha: ‘Do e kemi të vështirë pasi na presin përballje të forta e të komplikuara.
Gjithsesi, unë e kuptoj situatën tënde, kështu që ik tako babanë dhe qëndro me të’. Unë i cilësoj shumë të rëndësishme këto gjëra, edhe më të rëndësishme se fitimi i Champions League, titullit kampion apo trofeve të tjerë.
E vlerësova shumë gjestin e tij, pasi ai është një person që gjithmonë e ka mbajtur fjalën, e bënte gjithmonë atë që më thoshte”, deklaroi pesë herë fituesi i “Topit të Artë”.