Shpesh dhe me dëshirë për një futbollist të Amerikës së Jugut adaptimi me futbollin europian është i ndërlikuar. Në fund të fundit, shumë të rinj largohen nga atdheu dhe e gjejnë veten duke u marrë me jetën jashtë shtetit, ku kultura ndonjëherë nuk është aspak e pajtueshme me atë të tyre. Imagjinoni sikur, si në rastin e Fernandinhos, transferimi të jetë nga Brazili në Ukrainë.
Tani, mesfushori është përshtatur shumë mirë në Europë, deri në atë pikë sa është bërë një nga kapitenët e Manchester City. Duke folur për “The Players Tribune”, ai tregoi për muajt e tij të parë në Kontinentin e Vjetër, duke shpjeguar se mbërriti aq i papërgatitur, saqë nuk kishte as… një llogari bankare.
Kështu Shakhtar Donetsk, i cili besoi tek aftësitë e tij si futbollist, i pagoi direkt këstin e parë të kontratës në hotelin ku qëndronte përkohësisht, pasi nuk kishte gjetur ende një shtëpi: “Në fund të muajit tim të parë në Ukrainë, nuk kisha ende një llogari bankare dhe klubi po më paguante me para në dorë. Bëhej fjalë për shumë para.
Në atë kohë ende jetoja në një hotel dhe absolutisht nuk e dija se çfarë të bëja me gjithë ato para”. Dilema ishte ku t’i vendoste, që të mos binin shumë në sy, edhe nëse dikush do tentonte ta grabiste. Braziliani improvizoi një zgjidhje, e cila rezultoi absolutisht efektive:
“Ia dhashë gruas paratë dhe ajo i mbështolli me një peshqir, pastaj i fshehu në tenxhere me presion. Ajo më tha: Askush nuk do t’i gjejë këtu, në Ukrainë nuk ia kanë idenë se çfarë është tenxherja me presion.
Me pagën time të parë isha në gjendje të blija menjëherë një apartament për nënën në Curitiba, por në krahasim me atë që shpenzuan shokët e mi të vjetër të skuadrës, mund të them se isha më kursimtari. Vura goxha para mënjanë, kalova tetë vite vërtet të mrekullueshëm në Ukrainë”. Dhe në fund, Fernandinho u bë… braziliani më evropian që ekziston.