Nën ritmet e muzikës dhe kërcimit të fëmijëve, dritat e Pemës së Vitit të Ri te Pazari i Ri shënuan simbolikisht mbërritjen e festave dhe atmosferës së gëzueshme në kryeqytet. Siç është bërë traditë tashmë, Pazari i Ri, një nga hapësirat më të bukura dhe të frekuentuara në Tiranë, ndezi i pari dritat e Pemës së Vitit të Ri.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa u uroi të pranishmëve gëzuar festat, tha se ky vit na tregoi se të bashkuar jemi më të fortë.
“Në këtë vit ne u lidhëm pak më shumë me njeri-tjetrin, kaluam pak më shumë kohë me njeri-tjetrin, kuptuam sa e shtrenjtë është jeta, kuptuam sa shumë kemi nevojë të jemi mbështetje për ata që ndoshta kanë më shumë nevojë, që ndoshta janë të vetmuar e kanë vështirësi ekonomike. Unë besoj që si një super-qytet që jemi, kur ne jemi të bashkuar jemi më të fortë, kur ndihmojmë njeri-tjetrin jemi më të mirë, kur shtyjmë njëri-tjetrin përpara dhe mbajmë një sy për dikë që ka nevojë bëhemi më të bukur nga jashtë e nga brenda”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi që këtë vit të ri, të jemi më solidarë dhe të ndihmojmë ata që janë në nevojë.
“Dua shumë që ky të jetë edhe një fundvit ku ne jemi më të mirë e sidomos solidar me ata që kanë më shumë nevojë, me ata që ndoshta kanë humbur një familjar, me ata që ndoshta janë ende në pritje të rindërtimit të shtëpisë prej tërmetit me ata që ndoshta kanë një aftësi ndryshe dhe kanë më shumë nevojë për dashuri ekstra speciale këtë fundvit. Ndaj mund të bëni nga një dhuratë për ata që kanë më shumë nevojë, për një komshi, një shok klase, për një të afërm. Nëse të gjithë ndihmojmë njeri-tjetrin, e gjithë Tirana do jetë më mirë këtë fundvit”, u shpreh ai.
Veliaj shtoi se pas Pazarit të Ri, dritat e festave do të ndizen te “Kalaja” dhe më pas te Sheshi “Skënderbej”.