Gjermania ka blerë një milion pilula për të trajtuar Covid-19 nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer, njoftoi të martën në Berlin, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach. Dërgesat e para të ilaçit antiviral Paxlovid pritet të mbërrijnë në janar, tha Lauterbach, duke shtuar se ilaçi dukej shumë premtues.

Pritet që ky ilaç të na jape mundësinë për të parandaluar shumë raste të rënda në njësitë e kujdesit intensiv”, tha ai.

Disa ditë përpara Krishtlindjeve, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi ilaçin antiviral Paxlovid. Ministri gjerman tha se, edhe vendi i tij do ta miratojë Paxlovid.

Sipas kompanisë, pacientët do të marrin tre pilula dy herë në ditë gjatë një periudhe pesë-ditore. Ilaçi përmban përbërësin aktiv nirmatrelvir, i cili frenon proteinën SARS-CoV-2 për të ndaluar riprodhimin e virusit.

Ndërsa barnat si Paxlovid konsiderohen nga ekspertët si një mjet jetik në luftën kundër Covid-19, ato janë shumë më të shtrenjta dhe shpesh më të vështira për t’u administruar sesa vaksinat.