Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Miguel Berger e ka vlerësuar nismën ‘Ballkani i Hapur’, sepse Gjermania e sheh te ardhmen e vendeve të rajonit në tregun e përbashkët rajonal. Berger u tha gazetarëve se pjesë e kësaj iniciative duhet të jenë të gjashtë vendet e rajonit.
Ndërkaq Britania e Madhe nëpërmjet ambasadorit në Prishtinë Nicholas Abbott ka deklaruar se ekonomitë e rajonit kanë nevojë për bashkëpunim më të mirë sepse sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor janë të mëdha.
Negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian po kalojnë vërtet një periudhë të vështirë. Kjo është arsyeja pse gjithçka që ndihmon tregtinë është pozitive. Ne do të dëshironim shumë të inkurajonim tregtinë ndërajonale, marrëdhëniet ekonomike mes tyre në çfarë forme do të vendoset nga vendet e rajonit.
Gjatë takimit të 20-21 Dhjetorit në Tiranë pritet që mes palëve të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi për lejet e punës.
Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen e arritur midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar për sigurinë dhe mbrojtjen, sipas iniciativës së ‘Ballkanit të Hapur’.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë pajtuar që kontrollet kufitare mes tyre të hiqen nga 1 Janari i vitit 2023, ndërkaq është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorët e tri vendeve. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ ka marrë mbështetjen e zyrtarëve të BE-së dhe atyre amerikane.