Dalja e Big Mamës nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania” u kthye në çështjen më të diskutuar të momentit, si rrjedhojë e debatit të rëndë që ajo pati me Antonelën, ku kjo e fundit e akuzoi që këngëtarja e kishte sharë serbisht.
Fill pas daljes së Big Mamës, në rrjet kanë qarkulluar thashetheme se largimi i saj nga shtëpia e “BB Vip” ishte e planifikuar, ekzaktësisht në datën 25 dhjetor.
Dyshimet kanë nisur kryesisht nga postimi i një bisede midis dy ish-banorëve të “Big Brother” Anaidit dhe Veselit. Në bisedë thuhej se këngëtarja maqedonase “aq e kishte kontratën”.
Ndërkohë, Big Mama ka vendosur të reagojë rreth këtyre aludimeve, e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”.
Ajo u pyet nëse ka qenë e programuar që menjëherë pas daljes të rikthehej në punë dhe nëse axhenda ka qenë e planifikuar paraprakisht.
“Gjithë shoqërinë e kam patur në dasmë. Unë sa kam dalë kam dashur të vij për Maqedoni se më kishte marrë malli, isha tepër e mbingarkuar në shtëpi, dhe për t’i takuar shkova aty”, tha Big Mama, që më pas shtoi me shaka se nuk do mbyllet në shtëpi e të qajë për Antonelën.
“Nuk ka qenë e programuar aspak”, tha këngëtarja.
Ajo përsëriti se nuk ishte e penduar dhe as e mërzitur për gjithçka që ndodhi, si dhe për daljen nga shtëpia. Megjithatë, siç tregoi, vendosi që kjo të ishte hera e fundit që fliste për Antonelën.