Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma deklaron se Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor është nul dhe pa asnjë fuqi ligjore, për çfarëdolloj vendimi që do të marrë.
“Nuk ka asnjë vlerë juridike data 11 dhe çfarëdo lloj vendimesh të merren brenda atij grupimi, ato nuk vlejnë sa i përket institucionit të PD. Ata demokratë që diku janë keqkuptuar, diku mund të kenë ndërruar mendje duhet të kuptojnë vetëm një gjë: në datën 18 duhet të vijnë për të kritikuar, sepse për këtë arsye mblidhet ky Kuvend. Për anëtarësinë e mirëkuptoj plotësisht të ndërrojë mendje, por hierarkisë së lartë, përfshi Sali Berishën, nuk ka sens t’i mirëkuptoj që ndërroi mendje brenda 2 ditëve pas vendimit non grata”, deklaroi ajo.
Duma ftoi demokratët delegatë të Kuvendit Kombëtar të marrim pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit si një mundësi për të diskutuar dhe zgjidhur problemet.
“Data 11 Dhjetor nuk është Kuvend! Data 11 është një foltore. Nuk është Kuvend, jo se nuk ka vullnet demokratësh, atje ka vullnet demokratësh, por nuk është certifikuar vullneti i tyre. Kjo e hedh poshtë datën 11 si institucionale. Atje mund të jetë një megafoltore, por për Kuvend nuk bëhet fjalë fare. Data 18 është thirrur për atë që foltoret kanë shtruar. Kuvendi zyrtar është në 18. Ky Kuvend është bërë për t’iu përgjigjur kësaj situate. 18-a përfshin 11-ën në kuptimin e shqetësimit. Pa diskutim që demokratët e datës 11 do të jenë edhe në datën 18, sepse për ata po bëhet e gjitha kjo”, vijoi ajo.
Në lidhje me Kuvendin Kombëtar, Grida Duma pret reflektim, në mënyrë që PD të ecë përpara drejt fitores dhe pushtetit. Sipas Dumës, nuk ka asnjë mundësi që Sali Berisha të marrë Partinë Demokratike, sepse ajo thotë se ai nuk e sjell dot në pushtet atë.
“Është diçka që nuk do të ndodhë, nuk do të arrihet të ndodhë, sepse nuk duhet, nuk i bën mirë PD. Këtë e them pa mungesë respekti për atë që Sali Brrisha përfaqëson. Nuk kam asnjë paqartësi që kjo gjë nuk do të ndodhë, kështu që nuk jam duke thënë asgjë sikur e pandodhshmja të ndodhë! Nuk e sjell dot në pushtet PD Sali Berisha as me barrën e përgjegjësisë që ka si një individ i deklaruar non grata nga SHBA. Është e pamundur. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Sali Berisha e di shumë mirë dhe unë e them shumë shpesh. Ne do të bëjmë pjesën tonë që PD të jetë një forcë që duhet të shkojë drejt fitores pa këto mendësitë që e tërheqin me vargonj pas”, deklaroi nënkryetarja e PD.