Bashkia e Tiranës ka hedhur shortin për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e ndërtuara në lagjen e re “5 Maji”, ku do të sistemohen familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019. 58 familjarë ose përfaqësues të tyre, të pajisur me prokurorë, morën pjesë në shortin publik, ku përmes një procesi të hapur dhe transparent, përzgjedhën shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.

Pas skepticizmit të fillimit, tashmë banorët që preken nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, të gjithë banorët që preken nga ky projekt përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që janë ndërtuar ose po përfundojnë ndërtimin në lagjen e re te “5 Maji”.

Përfituese janë edhe ato familje që i kanë pasur banesat në proces legalizimi, duke përfituar po të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, por në godinat e reja dhe me dokumente tërësisht të rregullta. Nga ky projekt transformues i gjithë zonës së “5 majit”, kanë përfituar edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje.

Lagjja e re “5 Maji” po kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.