Pas rijetëzimit të kalasë së Beratit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka njoftuar se tarifa në kalanë e Beratit do të hiqet. Ai tha se përfitimet nga tarifa janë shumë të ulëta dhe nuk shërbejnë për të bërë inestimet që i duhen kalasë.
“Do ta heqim tarifën për të hyrë në kala. Nuk krijon një të ardhur të rëndësishme që të thuash se do bëjmë investime me to në kala”, tha ministri Çuçi.
Më herët kryeministri Edi Rama, sa i përket problemeve të pronësisë mes familjarëve i bëri thirrje që t’i japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre dhe objekti i përbashkët të përdoret për biznes, pasi do të kenë edhe një bonus 50 mijë dollarë dhuratë nga shteti.
Kryeministri, i paralajmëron banorët që nëse nuk do të zgjidhin çështjet mes tyre, atëherë qeveria do të ndërhyjë me masa shtrënguese, siç janë gjobat, për rastet kur godina të rëndësisë së veçantë vihen në rrezik nga sherret e bashkëpronarëve që nuk merren vesh me njëri-tjetrin.