Nga Lorenc Vangjeli/
Një deputet socialist u dërgoi kolegëve të tij në parlament fotografinë e Enver Hoxhës. Të majtët u distancuan prej tij, kurse të djathtët e panë si një shenjë që e majta në veçanti, por dhe gjithë shoqëria shqiptare në përgjithësi duhet të dekomunistizohet.
Si të gjithë të nguturit që ju ulërin forma, por refuzojnë ose nuk mundin të hyjnë në përmbajtje, të dy palët e tentojnë qortimin ideologjik të së shkuarës në mënyra të ndryshme, por duke e lënë ende aty ku është: Hoxha, ky kryeprift feudal i Shqipërisë së dikurshme, është ende gjallë në mentalitetin e shoqërisë së sotme shqiptare. Jo thjesht në të përditshmen që afron politika lokale, por në kulturën e të menduarit dhe të vepruarit të gjithëkujt.
Një sistem politik mund të bjerë edhe për 24 orë. Një sistem ekonomik mund të ndryshojë edhe në harkun e pak viteve. Mentaliteti kërkon më shumë se një brez që të ndryshojë.
Dhe është pikërisht ky mentalitet sërish i deformuar i qytetarit përballë shtetit, ai raport hilacak dhe i pandershëm i krijuar mes tyre, ku shteti sillet si pronar i fatit të individit dhe individi e ka për krenari që t’ja hedhë sa herë të mundet shtetit, që e mban vendin peng të së shkuarës së tij aspak të lavdishme.
Një nga elementët më të rëndësishëm që e dëshmon një gjë të tillë, është dhe përpjekja për të ndarë të drejtën nga e gabuara. Nevoja për të ndëshkuar mëkatarët dhe për të mbrojtur të ndershmit. Reforma në drejtësi është nga premtimet më të mëdha që është bërë në këto vite pothuaj pluralizëm në vend.
Modeli në letër i saj është Perëndim. Frymëzimi që e krijoi, është Perëndim. Ndihma dhe asistenca për arkitekturën e saj është gjithashtu Perëndim, por funksionimi në realitet, vazhdon të jetë sërish Lindje Bolshevike.
Sovjetikëve u mjaftonte dyshimi, pastaj shkruanin provat që përfundonin në Gulagë. Enver Hoxha shpallte në fillim armikun dhe pastaj drejtësia e tij, i vërtetonte fajësinë fakirit në pranga. Sot është dëshpërimisht njëlloj në thelb.
Edhe prokurori, edhe gjykatësi, por edhe opinioni publik, mendon se veprohet drejt kur shpallet arresti me burg paafat për këdo të dyshuar, deri në përfundim të hetimeve. Dhe më pas, siç ndodh me një rregullsi të frikshme, mbasi e kyçin fatziun në qeli, i humbin çelësat për muaj e muaj të tërë harrese.
Kodi i Procedurës Penale është i qartë, arresti me burg është vetëm një nga disa masat shtrënguese që mund t’i jepen individit. Arresti me burg është përjashtim në raste ekstreme dhe jo rregull pothuaj pa përjashtime.
I dyshuari për një vepër penale ka disa kufizime, të cilat fillojnë që me ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar, garancinë pasurore, arrestin në shtëpi apo edhe shtrimin e përkohshëm në një spital psikiatrik. Të gjitha këto masa alternative përdoren tmerrësisht rrallë. Sepse gjithkush që ka pushtet në drejtësi, gjykon dhe vepron shkurt: burg, burg, burg!
Kardiologut Edvin Prifti, i kanë refuzuar bisturinë, a thua se ajo është sopatë druvari, me të cilën mund të masakrojë dynjanë. Pa kuptuar se shumë njerëzve që mund të shëroheshin prej tij apo qindra studentëve që duhet të mësonin prej tij, ju ka munguar shërbimi që ai mund t’u jepte, deri në pritje të përfundimit të shqyrtimit të çështjes së tij.
Prokurorët dhe më pas edhe gjykatësit, me siguri besojnë se kështu “mbrojnë” shoqërinë nga individi shoqërisht i rrezikshëm, por logjika e do dhe kodi i procedurës e lejon, që është krejtësisht ndryshe. Eshtë tërësisht e kundërta.
Thoma Gëllçi vazhdon prej disa muajsh të detyrohet të hajë supë burgu, paguar nga paratë e taksapaguesve, nën dyshimin e manipulimit të një tenderi në RTSH. Nuk e kanë marrë asnjëherë në pyetje dhe nuk dihet se kur del përpara gjykatësve për hetim gjyqësor.
Ai nuk ka më asnjë mundësi të ndikojë në ndryshimin e fatit të tij edhe nëse e pret vendimin e gjykatës në shtëpi apo edhe në liri. E ka të pamundur të largohet qoftë nga Rinasi me avion e qoftë nga mali në Kapshticë. Madje nëse ikte, do të firmoste vetë fajësinë e tij.
Janë vetëm dy shembuj me emra të përveçëm, në një botë të errët ku pothuaj për çdo të dënuar me burg, një i paraburgosur pret me muaj e muaj që të gjykohet.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar.
Secili nga ta dhe nga shumë e shumë të tjerë si ta, ndoshta më shumë jashtë sesa brenda, mund ta meritojnë të ngrysen e të gdhihen në qeli, por nuk është kjo rruga e duhur për të përmbysur botën e padrejtë shqiptare: sa kohë që mes një qind vetëve prej tyre, mund të jetë qoftë dhe një i pafajshëm që vuan kot, siç thonë latinët, drejtësia nuk është vendosur. Dhe latinët pothuaj gjithmonë kanë pasur të drejtë.
Dhe kanë qenë me fat sepse përqafuan kristianizmin dhe jo komunizmin, këtë fe brutale që shtyp individin konkret në emër të një shteti abstrakt.
Që dyshon e dënon, pastaj nis të provojë fajësinë. Ndaj më shumë se tek ai deputeti i sinqertë nga Lushnja që bën ndershmërisht aq sa kupton, komunizmi kriminal dhe nevoja ulëritëse për dekomunistizim e desovjetizim, vazhdon të gjendet në mentalitetin e një shoqërie që lumturohet nga ndëshkimi.
Që lumturon me gjyqe turmash dhe linçim individësh, para se të besojë se gjithkush është i pafajshëm, deri në momentin që gjykatat thonë të kundërtën në mënyrë përfundimtare.