Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç këtë të martë ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij në Vatikan është takuar me Papa Françeskun.

Abazoviç përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka publikuar një video nga takimi i tij me papën, ku shkruan që ka pasur nderin që të zhvillojë një takim të tillë.

“Unë isha i vetmi zyrtar i lartë si i ftuari i nderit në Audiencën speciale të fundvitit që ka rëndësi unike për botën e krishterë. Në fund të saj, Ati i Shenjtë zbriti shkallët dhe më përshëndeti në mënyrë të veçantë. E ftova në Mal të Zi, i thashë se ne jemi një vend i veçantë i bashkëjetesës ndëretnike, ndërfetare, ndërgjuhësore. Unë vij nga Ulqini, ku ka një komunitet katolik që po vuan pasojat e kohës që jetojmë- emigracionin, mungesën e kuadrit fetar, etj. E ftova Atin e Shenjtë të vizitojë Malin e Zi prej nga vjen Emilio Ognjanovic. Papa tha se ‘kam dëgjuar për Malin e Zi nga vjen njeriu që më ka urdhëruar Peshkop’. Ai më dha bekimin për punët e mira që duam të bëjmë në shërbim të vendit tonë, të stabilitetit të vendit”, është shprehur Abazoviç.

Ndërkohë një ditë më parë zyra e Zëvendëskryeministrit njoftuan se Abazoviç ishte në një vizitë pune dyditore në Vatikan, me ftesë të Imzot Vicenza Pala, kryetar i Akademisë Papnore për Jetë.