Nga Denis Dyrnjaja
Deri në 9 shtator 2021 të gjithë në PD ishin në paqe, madje kishte një unitet dhe optimizëm paradoksal, pasi edhe pse kishin humbur zgjedhjet e 25 Prillit dhe Rama kishte marrë një mandat të tretë, uniteti politik rreth Bashës si lider i padiskutueshëm i opozitës ishte më i fortë se kurrë. Pjesë dhe kontributor i këtij uniteti ishte edhe Sali Berisha që se kishte menduar kurrë se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të përballej me surprizën më të hidhur të karrierës së tij politike, ndoshta më e hidhur edhe se shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Më 9 shtator kryetari i PD Lulzim Basha pas komunikimeve konfidenciale me zyrtarë amerikanë, vendosi të largojë nga Grupi Parlamentar i PD, Berishën derisa ai të sqaronte rrethanat me statusin “non grata”, në gjykatën franceze të koneksionit. Edhe pse Basha la të kuptohej se kishte sqaruar personalisht “babain e tij politik” për këtë qëndrim i cili do të prodhonte kosto politike për PD nëse nuk do të ndërmerrej, Berisha e mori këtë vendim si tradhëti personale dhe nisi menjëherë një fushatë politike me bazën kundër Bashës. Ky tur u quajt “FOLTORE” dhe kishte në thelb dy nocione bazike “ndryshimet statutore dhe shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD”.
Berisha nisi linçimin politik sipas stilit të tij klasik, ndaj beniaminit të tij që kishte mbrojtur për më shumë se 8 vite në dështimet e tij të njëpasnjëshme në zgjedhje dhe çdo vendim tjetër politik. Berisha arriti deri në pikën sa ta cilësojë Bashën peng të Kryeministrit Rama dhe opozitën të hapur nga qeveria. Nga ana tjetër Basha u përpoq të përmbahej fillimisht ndaj sulmeve agresive dhe intimiduese, por pasi pa se frekuenca e tyre sa vinte e shtohej, hoqi vetpërmbajtjen politiko/publike duke deklaruar se i gjithë ky aksion i Berishës kishte dhe ka një axhendë personale kundër aleatit strategjik të Shqipërisë dhe PD, SHBA.
Nga ana tjetër Berisha aludonte dhe vijon të arsyetojë se shpallja “non grata” është një skenar i organizuar dhe financuar nga strukturat e Sorrosit në Tiranë e Washington dhe kështu babai dhe biri i tij politik u ndanë në llogore në një luftë, fundi I se cilës mund të çojë në shpërbërjen e PD-së. Po pse rrezikon shpërbërjen PD? E thjeshtë për t’u kuptuar sepse pavarësisht se si Berisha dhe Basha flasin në emër të parimeve në thelb kjo është mirëfilli lufta e tyre për të kontrolluar partinë dhe përmes saj pushtetin politik dhe përfitimet që burojnë prej tij.
Ata që ishin detyruar nga Berisha të mbështesin dhe brohorisnin e punonin për Bashën gjithë këto vite por se deshën dhe se pranuan kurrë atë si lider brenda vetes, mezi e kishin pritur këtë moment dhe përveç foltores, firmosën pa menduar gjatë edhe për mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 Dhjetorit. Ndërsa një pjesë tjetër e promovuar politikisht nga Basha, por edhe me laps e letër llogarish në dorë, zgjodhën të qëndrojnë pranë tij, për shkak të mbështetjes amerikane që kreu zyrtar i PD-së ka marrë në mënyrë të vazhdueshme.
Kështu dashuria hipokrite politike e gjithë këtyre viteve u shndërrua në pak muaj në urrejtje patologjike. Palët tani po zhbëjnë njëra tjetrën me vendime kolegjiale. Kuvendi i mbledhur nga Berisha shkarkoi Kryesinë e PD dhe Kryetarin Lulzim Basha dhe shpalli çdo vendin të marrë prej tyre nul, përfshirë edhe mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Basha më 18 Dhjetor. Ky I fundit u kundërpërgjigj duke mbledhur Këshillin Kombëtar e duke miratuar një rezolutë që nuk njeh asnjë vendim të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar të mbledhur nga Berisha.
Pra tani palët kanë shkarkuar të gjitha opsionet e vendimmarrjes, duke vlerësuar e shpallur si të paligjshme dhe antistatutore njëra tjetrën. Detyrimisht kjo situatë do të zhvendoset në gjykatë. Por sidoqoftë vendimi i gjykatës njëra palë do të dalë e humbur dhe për rrjedhojë humbje do të ketë edhe vetë PD, sepse një pjesë e saj do të shkëputet ose dalë jashtë loje.
Nëse dëgjon Berishën dhe Bashën të dy thonë se aktet, qëndrimet dhe vendimet e tyre po i marrin në të mirë të PD. Por në fakt e vërteta është krejt tjetër. Ata thjeshtë po zhvillojnë një luftë të ashpër për pushtet që po e çon PD në një rrugë pa shpëtim. Por nëse ata vërtetë e duan realisht PD sikurse predikojnë publikisht atëherë ka një rrugë për shpëtimin e saj. Të deklarojnë të dy tërheqjen nga beteja dhe pretendimet e synimet personale. Të japin dorëheqjen.
Të ulen në bisedime të krijojnë një grup tranzicioni që të çojë partinë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të vendoset hapja e një gare të madhe për drejtimin e PD-së me kusht që si Basha dhe Berisha të mos jenë më pjesë e kësaj gare. Ata e konsumuan kohën e tyre politike, është koha të prodhohet një lidership i ri me mendësi dhe energji të re, jashtë kulisave meskine. Kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar PD nëse realisht duan me zemër më shumë partinë se autokracinë.
Kjo është vërtetë mundësia e fundit dhe fundi i tik takut të zemrës së një partie politike e cila po vdes në një moshë shumë të re vetëm nga abuzimi i pamëshirshëm me të. Ka ende dhe pak kohë për të shpëtuar PD, duhet vetëm pak kurajo njerëzore dijlnjotoze! Historia njeh si politikanë të fortë ata që dinë të tërhiqen e dorëhiqen. Basha dhe Berisha kanë një mundësi për ta shkruar historinë me dinjitetin e dorëheqjes, sesa me triumfin e shkatërrimit të partisë.