Ashtu si të Kuvendi i 11 dhjetorit, edhe te ky i 18 dhjetorit demokrati Fatbardh Kadilli është i vetmi zë kundër. Në fjalën e tij në Kuvendin e PD, Kadilli ia tha në sy Bashës së është një lider që nuk njeh asgjë tjetër përveç humbjes.

“Do të kërkoja të imagjinonim për një moment një vend në botë ku ka votime që një parti që humbet katër herë rresht, imagjino që partia ka dështuar në shumë aksione politike, imagjinoni partinë që nuk bën asnjë analizë për humbjet por vetëm fajëson kundërshtarin politike, imagjinoni që udhëheqësi nuk jep dorëheqjen por vazhdon njësoj si më parë. Çfarë do të mendonit për atë parti? Imagjino sikur përsëri befas plas një konflikt i brendshëm dhe udhëheqësit të saj i kërkohet dorëheqja, ndërsa ai përgjigjet përjashtime. Ju në këtë sallë keni një tregim krejt tjetër. Por është një tregim që mbushet me iluzione dhe me gënjeshtra. I keni harruar të gjitha ditët dhe datat kur konflikti ishte brenda. Lëvizja e Sali Berishës ndezi vetëm fitilin. 26 prilli ishte data e vërtetë e krizës, kur Basha nuk dha dorëheqjen. Më 26 prill PD vendosi të jetë një parti e vogël që udhëhiqet nga një njëri që nuk e njeh fitoren. PD ka më shumë se kushdo në historinë e saj për një ndryshim të thellë. Sali Berisha po i shet demokratëve iluzionin e ndryshimit. Nga arroganca juaj sot shumë demokratë gjejnë shpëtim të Berisha”, tha Kadilli.

Ai tha se Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet as me Berishën dhe as me Bashën.

“Ju i keni injoruar të gjitha ndryshimet që unë kam propozuar, dhe që janë domosdoshmëri që PD të ringrihet. Keni një shans. Në këtë sallë është larguar një herë Enveri por jo enverizmi, ta largojmë përfundimisht berishizmin”, u shpreh ish kandidati për kryetar i PD, Fatbardh Kadilli.