Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH), Linda Karçanaj, informoi sot qytetarët dhe biznesin se, “e-Albania është një sistem i sigurt dhe nuk ka lidhje me asnjë rrjedhje të informacionit”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp dhënë sot me kryeministrin Edi Rama në lidhje me daljen e informacionit të pagave të mbi 600 mijë shqiptarëve, Karçanaj tha se, “qytetarët dhe biznesi të përdorin të sigurt të 1 112 shërbimet që janë në e-Albania dhe të sigurohen që kur përdorin shërbimet, përdorimin vetëm të dhënat e tyre në të gjithë regjistrat respektiv dhe asgjë tjetër”.
Ajo tha se, “pikërisht që të ndërvepronin regjistrat në mënyrë të sigurt është ndërtuar platforma qeveritare e ndërveprimit, që bën të mundur që të mos kemi eksporte por sistemet të komunikojnë mes tyre në kohë reale dhe automatikisht, pa njerëz nga mbrapa. 17 milion transaksione të kësaj platforme që bëhen çdo muaj, përveçse reduktojnë të gjitha dokumentet gjeneruese që i duhet qytetarit dhe biznesit realizojnë në mënyrë të sigurt, duke lënë loge të qarta”.
“Platforma mirëmbahet nga mikrosofti që mundëson një siguri të plotë të informacionit aty”, deklaroi Karçanaj.
Në vijim të fjalë së saj, ajo tha se, “kryefjala jonë në të ardhmen e afërt është “block-chain”, si teknologjia më e fundit edhe në botë për mos ndryshim dhe mos aksesim të dhënash”.
“Do ta përdorim për sistemin e pronave dhe shumë shpejt ka filluar puna për këtë gjë, duke i bërë pronat e shqiptarëve të pandryshueshme nga askush më dhe nga sulmet kibernetike”, deklaroi Karçanaj.
Sipas saj, gjithë ky ekspozim digjital, nga 14 shërbime kemi kaluar në 1 112 shërbime, nga 6 regjistra në 55 dhe 30 të tjerë janë proces, patjetër që shoqërohet me probleme të gjitha llojeve. Problemi i parë është aksesi i atyre që duhet ta përdorin sistemin, me role të pacaktuar apo me paqartësi.
Karçanaj bëri të ditur se, për fat nga marrëveshja e tetorit, do të përfitojmë për të pasur një marrëveshje strategjike me një kompani të mirënjohur amerikane që operon në KESH dhe OST dhe prezenca e kësaj kompanie do të ndihmojë jo vetëm në certifikimin e sistemit të tatimeve dhe të gjithë sistemeve të tjera shtetërore me ISO. Pjesë e ISO-s është edhe përcaktimi i qartë i aksesit fizik të informacionit nga të gjitha ata që ju duhet ta përdorin sistemin për arsye pune dhe ndarja e qartë e roleve të tyre.
“AKSH-i e ka qendrën e të dhënave qeveritare të certifikuar me ISO 27 001 për sigurinë e informacionit dhe me ISO 9001 për menaxhimin e informacionit. ISO-t i japin kompani të certifikuara të cilat bëjnë audite të plota. Ndërkohë që sistemi i tatimeve nuk është i certifikuar me ISO dhe jemi në proces, sepse e kemi rekomandim edhe nga OECD”, tha Karçanaj.