Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi tha se rezultati i votimit në kuvendin kombëtar të PD foli qartë, për shkarkimin e Lulzim Bashës.

“Sigurisht vijon të jetë deputet i PD, mund të japë kontributin e tij. Por nga ky moment të gjithë institucionet janë të detyruar të zbatojnë vendimet. Nga dita e sotme kryesia nuk është më funksionale e plotë, pasi një pjesë janë shkarkuar, prandaj është një farsë.

Si mund të mos njihet ky vendim? Ka folur organi më i lartë, një organ tjetër që është më poshtë nuk mund të mos njohë vendimin”, tha Këlliçi.

I pyetur se çfarë ndodh me kuvendin e thërritur nga kryesia e PD, Këlliçi tha se ai nuk mund të mbahet për shkak se është anuluar nga delegatët gjatë kuvendit të sotëm.

“Uroj t’i mbledhë edhe Basha 5200 delegatët, por nuk besoj që do ta bëjë”, tha Këlliçi. Ai tha se asnjë deputet që mbështet Bashën nuk do të përjashtohet. “Uroj të rikthehemi sa më shpejt te lufta ndaj Edi Ramës”, tha ai.

I pyetur për lajmin se janë shkarkuar 11 kryetarë degësh dhe se Basha ka thënë në mbledhjen e kryesisë së ka indicie për falsifikime të vulave dhe firmave, Këlliçi u përgjigj:

“I ka kapur sindroma e vulave dhe zyrave. Nuk e kuptojnë që është çështje politike, jo çështje vulash. Ta mbajë zyrën, nuk është problem. Se përfundon pastaj i vetëm në zyrë me vulë në xhep”.