Anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD-së duket se janë në mëdyshjen e madhe se nga do të anojnë, duke qenë të detyruar që të zgjedhin njërin mes Berishës dhe Bashës. Disa prej tyre kanë nënshkruar formularët për të marrë pjesë edhe në Kuvendin e datës 11 të thirrur nga Berisha, por edhe në atë të Bashës një javë më vonë. Ish-kryeministri ashpërson tonët dhe flet për revoltë pas 11 dhjetorit.

Kuvendi Kombëtar që është thirrur në 11 dhjetor nga ish-kryeministri Sali Berisha është një përgjigje për shumë pikëpyetje të ngritura deri tani. Ajo që është më e rëndësishmja është se, a do i këtë Berisha korumin e duhur, më shumë se gjysmat e anëtarëve më 11 dhjetor? Në gati 31 vite politikë, Berishës rrallë i ka dalë situata jashtë kontrollit. Edhe kësaj radhe është shfaqur në publik si një strateg që e di shumë mirë përfundimin e luftës që ka shpallur përballë Lulzim Bashës për të “pushtuar” Partinë Demokratike. Kjo edhe për “garancinë” që Berisha i ka dhënë vetes për ti dalë kundër ambasadores amerikane Yuri Kim por edhe Sekretarit të Shtetit Antoni Blinken.

Pra Berisha është futur jo në lojë, por në luftë kundër Bashës dhe Amerikës. Por a do të jetë foltorja e Berishës që do të mbledhë më shumë demokratë? Për aq kohë sa Berisha ka mbledhur firmat e më shumë se 50 për qind të anëtarëve të PD-së, e sigurt është se ata do të jenë pjesmarrës tek Kuvendi i 11 Dhjetorit. Por demokratët kanë zgjedhur që të marrin pjesë në të dyja Kuvendet për të parë dhe lexuar mbi strategjinë e të dy “liderave” dhe të ardhmen e Partisë Demokratike. Pra demokratët do të shkojnë në të dyja “institucionet” dhe më pas do të vendosin se nga do të mbajnë kah, nga Berisha apo nga Basha. Dhe sigurisht që demokratët do të shkojnë nga më “i forti”. Kuvendet pritet të kenë kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime, si tek ai i 11 dhjetori dhe tek ai i Bashës më 18 dhjetor, por kjo të krijojë kakofoninë e saj, pasi të dyja kuvendet mund të quhen legjitim, por Kuvendi i PD-së zyrtare mund të jetë mbizotërues. E nëse do të jenë të dy me vendimarrje dhe kuorum të plotë, gjasa ka që njëri të shkojë në gjykatë, shkruan “Fjala”.

Lexoni edhe:

Ditën e djeshme Berisha tha se pas Kuvendit të 11 dhjetorit do të fillojë edhe plani i për protestat kombëtare me qëllim rrëzimin e Bashës me çdo lloj instrumenti. Berisha do të marrë PD, ndërsa “heq dorë” dhe “vë dorë” për të qenë kryetari i partisë më të madhe opozitare. Ai nuk e quan këtë një betejë personale, ndërsa është i akuzuar për antiamerikanizëm, ai dje nga Bilishti ka akuzuar Bashën për veprime antiamerikane. “Edi Rama nuk të shpëton nga kjo shumicë gjigande e PD-së që ti kërkon ta nëpërkëmbësh. Do të përdor fjalën e një diplomati të nderuar: Ka marrë fund politikisht. Me 11 dhjetor demokratët janë në këmbë më të fuqishëm se kurrë.

Do të përcaktojmë pas kësaj ditën e madhe të protestës kombëtare në të cilën ne do të shpallim kërkesat tona deri në fitoren e plotë. Me 11 dhjetor do të votojmë një statut me të cilin kemi qëllimin më madhor, të rikthejmë lirinë, votën e lirë në PD. Nuk mund të ndodhë kurrë që një vend të votojë i lirë nëse forcat politike përjashtojnë votën e lirë. Basha vendosi në krye të PD-së një kryesi të emëruar nga ai. Akti ynë i parë madhor do të jetë rikthimi i votës. Qëndrimet e Bashës janë antiamerikane. Neni Basha do të jetë: Kryetari i PD-së jep dorëheqjen nëse humb zgjedhjet”, u shpreh Berisha. Ish-lideri i demokratëve ka bërë dhe një mallkim ndaj njeriut që tërhoqi vetë në politikë dhe i dha mbështetje pa kufi. “Mos u kthefshin më kurrë si ai. Ka 5 muaj që nuk takon asnjë aktivist, militant, degë përveç mureve të tij. Ai ka frikë nga firmat tuaja. Tani nuk thotë që firmat nuk janë por nuk i njohin. Të gjithë qeveritarët, analistët janë kthyer në mbrojtje të tij”.

Implikimi me Ramën

Ish lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur edhe për pastrimin e p[arave që ka bërë Basha, ndërsa është ndihmuar nga kryeministri Edi Rama për të mos vijuar çështja. Sipas Berishës, Basha është pengu i Ramës. “Basha u akuzua për pastrim parash në dosjen Muzin. Shkoi në gjykatë dhe ndërhyri Rama dhe e mbylli dosjen pa u dërguar në Gjykatën e Lartë. Dje që fliste për pastrim parash e mbylli gojën, sepse Rama do i kujtonte Muzinin. Dua t’i them dosjen e ke mbyllur duke lënë veten peng.

Beteja e Berishës

Për Berishën e rëndësishme mbetet që të krijohet përshtypja në radhët e demokratëve që nisma e tij nuk është një “luftë” perosnale edhe pse është e lidhur me një çështje perosnale. Ai tha se do të përballet vetëm para kësaj padrejtësie, edhe pse ka mbledhur pas vetes gjysmën e demokratëve anëtarë për të dalë nga “situata” perosnale. “Nuk është betejë personale kjo që po bëj edhe pse kam një çështje personale. E kam menduar mirë përpara se ta shpall çështje personale. Kam vendosur të përballem vetë me këtë padrejtësi. Mora këtë nismë që ju e shndërruat në mrekullinë shqiptare. Basha po mbron veten nga dosjet e tij. Ne me pengje nuk kemi punë, ne jemi të lirë”, tha Berisha.

Lulzim Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha i ka quajtur sensacione mediatike takimet e organizuara nga ish-kryeministri Sali Berisha. Basha u shpreh se diskursit të opozitës po i mbivendoset interesi i një personi. “Është detyra ime që asnjë institucion i PD-së të kthehet në një forum që shqyrton vendimet e qeverisë amerikane. Shqiptarët kanë halle të tjera, ekonomia 2është e shkatërruar. Kryeministri dhe 6 oligarkë diktojnë çdo pasuri të Shqipërisë, familjet shqiptyare janë më të varfërat në ballkan dhe kemi muaj që merremi me sensacione mediatike. Ndërkohë PD ka marrë disa nisma, hetimin e 25 prillit, uljen e TVSH-së, dhe gjithë këtij diskursi normal i opozitës i mbivendoset sensacioni i një personi”, tha ai.

I pyetur nëse Berisha është i korruptuar Basha tha se e ka pasur në krah për shumë vite por me veprimet e fundit ka kuptuar se një njeri të tilllë e njeh kur e ke përballë dhe jo në krah. Ai tha se në biseda me ambasadoren dhe përfaqësues të tjerë amerikanë ata i janë shprehur se nuk kanë asgjë me PD-në dhe se ata duan një Parti Demokratike të fortë. “Unë nuk jam hetues që të jap një përgjigje për këtë. Nëse më pyesni si politikan unë e kam gjetur në PD Berishën me gjithë gabimet dhe dritëhijet e tij. Ne kemi parë atë Berishë që kemi pasur interes ta shohim nga prizmi i interesit të PD-së. Kam patur bindjen se vlerat e tij ishin më të forta. Një njeri të tillë nuk mund ta njohësh në krah, por kur e ke përballë”, tha Basha.