Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me fillimin e pushimeve për festat uruar nxënësit nëpërmjet një video-mesazhi, ku shfaqet së bashku me një grup nxënësish duke zbukuruar për festa një ambient shkolle. Në mesazhin e saj Kushi shprehet e kënaqur për mbylljen e suksesshme të tremujorit të parë të këtij viti shkollor, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ka pasur.
Krahas urimit për festat ministrja u ka përcjell një këshillë nxënësve në lidhje me leximin. “Krahas argëtimit, mos harroni të lexoni edhe librat që ju kanë sugjeruar mësuesit apo edhe prindërit tuaj. Më besoni, kur jashtë bën ftohtë, bie shi apo dëborë, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shfletosh një libër të bukur. Kthejeni leximin e librit në një zakon argëtues! Sepse leximi është zakoni më i mire dhe më i vlefshëm për çdo njeri”, tha Kushi.
Mesazhi i plotë i ministres Kushi:
Të dashur nxënës! Sot mbyllim tremujorin e parë të këtij viti shkollor dhe jam e kënaqur që deri tani, pavarësisht sfidave dhe vështirësive, procesi mësimor po zhvillohet me sukses, e fatmirësisht me prezencë fizike në shkolle për të gjithë. Ndihem vërtetë krenare që këtë vit mijëra nxënës po mësojnë në shkolla të reja, më të mëdha më të forta e më të bukura. Do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe të tjera, kudo në Shqipëri, gjithçka për ju dhe brezat që do të vijnë, …që Shqipëria nesër të zgjohet edhe më e bukur … e që ju të jeni çdo ditë më të buzëqeshur.
Të dashur nxënës! Me afrimin e festave të fund vitit, dua t’ju uroj të gjithëve pushime të mbara! Shijojini pushimet, gëzoni, festoni, luani, shëtisni, me familjet, me shokët, edhe me gjyshërit mos harroni.
Por, dua t’ju përcjell edhe një këshillë. Krahas argëtimit, mos harroni të lexoni edhe librat që ju kanë sugjeruar mësuesit apo edhe prindërit tuaj. Me besoni, kur jashtë bën ftohtë, bie shi apo dëborë, nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shfletosh një libër te bukur. Kthejeni leximin e librit në një zakon argëtues! Sepse leximi është zakoni më i mire dhe më i vlefshëm për çdo njeri! Kalofshi pushime të bukura dhe GËZUAR FESTAT!