Reshjet e shiut dhe të dëborës që kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të vendit kanë nxjerrë në terren kontraktorët e mirëmbajtjes për të garantuar qarkullimin normal në akset rrugore kombëtare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga puna në terren për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të mjeteve.

“Mirëmëngjes dhe me punën që vijon pa pushim për ta mbajtur të kalueshëm çdo aks në zonat e mbuluara me dëborë, ju uroj një të diel të bukur”, tha Rama.

Reshje shiu dhe dëbore me intensitet mesatar kanë përfshirë vendin pa sjellë probleme në akset nacionale dhe për qarkullimin e mjeteve.

Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në terren për pastrimin e akseve nga rënia e materialeve në trup të rrugës.

Ndërkohë njoftohen drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.