Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës së bashku me drejtuesin e kompanisë globale Emaar Group, Mohamed El Alabbar, në kantierin e madh të Rindërtimit në Spitallë, ku po punohet për lagjen e re të financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kryeministri Rama u shpreh se, “ka 415 ndërtesa të mëdha, të cilat janë riparuar me buxhetin tonë, por ka dhe disa qindra të tjera, të cilat po kalojnë për një rindërtim të thellë. Sepse janë dëmtuar. Është riparim. Jo nuk është vetëm riparim. Është rindërtim në thellësi. Thuajse po rindërtohen. Pra ka rreth 80-81 ndërtesa të këtij lloji që kanë nevojë thuajse të rindërtohen, sepse kanë pësuar dëme strukturore, kësisoj kanë nevojë për ndërtim të thellë”.

Ndërsa Mohamed El Alabbar përgëzoi kryeministrin Rama për kalimin e situatës së vështirë. “Shkëlqesia juaj, dua përgëzoj ju dhe administratën tuaj që e kaluat këtë dhe që mundët ta menaxhonit sepse ishte një katastrofë e jashtëzakonshme njerëzore. Përgëzime”. Unë jam në 14 vende, por zemrën e kam në Shqipëri, për shkak të mënyrës sesi më trajtoni. Të gjithë në qeveri janë vërtet entuziastë të bëjnë diçka për njerëzit”, tha ai.

Rama u shpreh se, “ajo çfarë ju keni bërë personalisht është e paçmuar që po e bëni këtë realitet dhe sigurisht është e paharruar, do të mbetet në kujtesën e këtij vendi përgjithnjë, çfarë bëri madhëria e tij , pasi e takova në vendin e tij, kur premtoi që të na vinte në ndihmë me këtë mbështetje kaq të madhe. Pastaj ju telefonoi ju dhe ju nisët të punoni. Dhe ja ku jemi. Tashmë fondet e Abu Dhabit janë në drejtim të mbarë. Loti i parë është në drejtim të mbarë. Ndërkohë e gjithë infrastruktura financohet prej nesh, përmes FSHZH-së. Sepse po ta shihni, na duhet ta ngremë në nivel dy metër e gjysmë të gjithë tokën, sepse këtu ka qenë kënetë. Praktikisht kjo zonë quhet ish-Këneta. Të kthesh ish-Kënetën dhe t’i japësh jetë të re, një lagje të re që do të jetë absolutisht lagja më e mirë e Durrësit. Me standardet më cilësore, është një diçka e shkëlqyer. Pra shndërrimi i një tragjedie të tmerrshme në diçka të mirë për njerëzit. T’ua bësh jetën më të mirë sesa ç‘ishte përpara tragjedisë. Dhe në këtë zonë, saktësisht në këtë zonë, ju detyrohem një shprehje publike të mirënjohjes. Sepse juve dini natyrisht edhe mirënjohje për madhërinë e tij dhe për qeverinë dhe popullin e Emirateve, sepse është sasia më e madhe e parave që erdhi për mbështetje të drejtpërdrejtë. Dhe praktikisht, dy ndërhyrjet më të mëdha për strehimin janë kjo që është më e madhja dhe ajo çfarë bëri presidenti Erdogan në Laç. Së bashku praktikisht ata bënë të mundur që 2500 apartamente të bëheshin. Është e jashtëzakonshme”.

Sigurisht, shtoi Rama, “kemi një ndihmë të rëndësishme nga BE për shkollat ku kemi financuar gjysmën, pak më shumë se gjysmën e projektit dhe ata financojnë gjysmën tjetër. Dhe po kështu po financojnë projekt të rëndësishme në zonat e trashëgimisë kulturore që u dëmtuan, që është diçka shumë e mirë”.

Rama theksoi se, “është me të vërtetë gëzim, lumturi, kur politika vihet në dispozicion, në shërbim të njerëzve, mund të bëjë blloqet të tilla që blihen nga njerëz të pasur, njerëz me para, u jepesh njerëzve , të cilët kurrë nuk do ta kenë mundësinë t’i blejnë ato, u jepen falas”.

“Kam deklaruar sot që Durrësi do të ketë një festival fishekzjarrësh si dhuratë nga Marina e Dubait, për Marinën e ardhshme të Durrësit dhe si shprehje juaj e dashurisë për qytetarët e Durrësit”, tha Rama.

“Është kënaqësi e madhe që ne i shoqërojmë fishekzjarrët tona në Dubai sonte me Durrësin, është diçka e vogël, një kontribut i vogël, me këto fishekzjarrë për t’u treguar njerëzve një fillim të shkëlqyer të 2022. Ndoshta është më e pakta që mund të bëjmë përpara se të nisim projektin”, theksoi El Alabbar.

Rama shtoi më tej se, “2022 do të jetë një vit i jashtëzakonshëm për Durrësin dhe kjo dekadë do ta vendosë Durrësin në hartën e botës si një destinacion për të shkuar”.

Zv/kryeministri, Arben Ahmetaj tha se, “këtu do të ketë pothuajse 1000 apartamente dhe në pjesën tjetër të qytetit një tjetër numër prej 1000 apartamentesh që arrijnë vlerën 70-75 milionë dollarë, që janë donacione të Princit të Kurorës për Shqipërinë. Pas diskutimeve të kryeministrit me Lartmadhërinë e Tij”.

“Në Durrës është bërë një punë shumë e madhe me rindërtimin. Është qyteti që ka përfituar shumën më të madhe të granteve. Numri i pallateve DS4, pra të ri konstruktuara, do të shkojë mbi 300 dhe pjesa e pallateve që kanë përfituar rikonstruksione të brendshme është një numër shumë i konsiderueshëm.

Zv/kryeministri Ahmetaj shtoi se, “praktikisht nga kjo zonë do të ketë një rrugë të gjerë në formën e Bulevardit që do ta lidhë këtë zonë me qytetin e Durrësit”.

Ndërsa kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se, “këtu jemi në kantierin e ndërtimit për apartamentet pas tërmetit që do të ndërtojmë. Kemi nisur punën me FSHZH-në, për infrastrukturën. Gjithashtu kemi nisur dhe me ndërtimin e fazës së parë të apartamenteve me lotin e parë që do të ndërtojë 154 apartamente. Po kështu kontratat janë nënshkruar për të gjithë numrin totale të apartamenteve. Gjithsej janë 996 rreth 1000 apartamente. Faza e parë ka nisur me zhvillimin, ndoshta do të përfundojë për 9 muaj, 1 vit maksimumi sepse situata këtu është pak e vështirë, duke qenë kënetë, është e nevojshme që të bëhet shumë punë me infrastrukturën, kështu që është e rëndësishme për këtë”.