Nga Pajtim Bello/
Nacionalizmi është përdorur si kalë beteje prej politikanëve edhe më parë se të formësohej si ideologji. Nën flamurin e nacionalizmit janë zhvilluar luftra deri edhe botërore, është derdhur gjaku lumë në çdo pllëmbë toke të rruzullit tokësor. Nacionalistët dhe pseudo patriotët janë jargavitur pas flamurit të nacionalizmit deri sa e kanë rreckosur. Këta populistë të sëmurë kanë luajtur heroin e kauzave nacionaliste sa herë iu ka interesuar, kur jo rrallë vetë ata kanë qenë tradhëtarët më të mëdhenj të kauzave.
Një i tillë ka qenë, ishte dhe është pseudo patrioti Sali Berisha që i grah kalit nacionalist sa herë ia lyp nevoja. Pseudopatriot me profil të qartë. Me sjelljen e tij nuk le dyshime. Nuk njeh pishman në gjithçka ka bërë, ka vepruar me ndërgjegje të plotë. Kërkon të protestojë kundër ardhjes së Presidentit Serb Vuçiç në Tiranë, në datën 20 dhjetor. Rroftë sebepi që të shesin ca dëngla patriotike Saliu me disa të tjerë. Do të bëjë një spektakël që t’iu hedhë hi syve shqiptarëve këtej dhe në Kosovë.
Më shumë se kurrë ky spektakël i nevoitet tani. Nëse ka një politkikan shqiptar, në gjithë historinë e sajë, që i ka dëmtuar interesat kombëtare, ky është Sali Beirsha. O njerëz që i shkoni pas! Freskoni pak memorien tuaj dhe ndoshta do të ndaloni së dihaturi pas Saliut. Kanë kaluar pak vite dhe shpresoj të mos kini harruar. A mund të harroni juve që firma Shqiponja e Partisë Demokratike, e drejtuar nga Saliu dhe Tritan Shehu, furnizoi me miliona ton karburante makinën ushtarake të Millosheviçit që vrau vëllezërit kosovarë, zhuriti Kosovën dhe gjithë shtetet e ish Jugosllavisë.
Ka qenë i pari që e quajti lëvizjen e UÇK lëvizje marksiste leniniste dhe celulë terroriste duke i dhuruar Milloshviçit paltformën politike për të dërguar ushtrinë serbe mbi kosovarët. Dhe nuk i pikoi loti kur në 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 bisha serbe rrënoi kështjellën e Jasharëve në Prekaz dhe bëri një masakër të pa shoqe në gjithë Prekazin ku humbën jetën 55 shqiptarë me gjithë Komandanin legjendar Adem Jashari. Saliu është ndër të paktët politikanë shqiptarë që kundërshtoi Marrveshjen e Rambujesë dhe që është deklaruar se për Kosovën është e mjaftueshme autonomia! Në historinë e Shqipërisë nuk mbahet mënd kryetar shteti, përveç Saliut, që të ketë urdhëruar ushtrinë të qëllojë mbi popullin e vet apo të armatoste një pjesë të popullsisë kundërj tjetrës. Tani ka zgjedhur të protestojë ndaj ardhjes së Vuçiç në Tiranë.
Në kohën kur luftohej në Kosovë besoj se edhe makina e Vuçiç, në atë kohë minsitër, digjte nga ai karburant që iu kishte dërguar Baca Sali dhe qehajai i tij Tritan Shehu nëpërmjet shqiponjës së PD. Për Saliun dhe ata që i shkojnë nga pas mund të bëhet pyetja e thjeshtë. Përse, kur luftohej në Kosovë, nuk shkuan të hidhnin qoftë edhe një pushkë. Ku i dihet, mbase plumbi i shkrepur nga pushka e Saliut vriste Vuçiçin dhe sot nuk do ti kishim këto belara prej tij?!
Po këta e kanë më të lehtë që Vuçiçin ta shajnë si në sherret e fëmijëve në lagje. Saliu e pengoi Kosovën që ta fitonte lirinë me luftën çlirimtare dhe tashmë po e pengon që ta fitojë luftën për liri nëpërmjet paqes. Asgjë e rastësishmë, asgjë e pa menduar. Do të ishte mirë që, nëse nuk i ndihmojmë dot, të paktën ti lemë të qetë ata që bënë dhe fituan luftën. Ata dinë ti kullandrisin vetë punët e tyre. Mbase ne dhe ata duhet që Saliut ti bëjmë pyetjen: “Ku ishe zotrote Sali efendi, kur Kosova përgjakej e digjej për Liri?!”. Besoj se mjafton. Kush ka vesh e ndërgjegje kombëtare dëgjon dhe reflekton. Kush nuk ka le të vazhdojë rrugën e vet. Nuk e kanë për herë të parë.