Qeveria talebane ndërmori edhe disa hapa të tjerë të cilët reduktojnë dukshëm lirinë e grave në Afganistan.
Së fundi, talebanët njoftuan se grave, të cilat duan të udhëtojnë më larg se 72 kilometra, nuk duhet t’iu ofrohet transporti, përveç rasteve kur shoqërohej nga ndonjë familjari burrë.
Udhëzimi i lëshuar nga Ministria për Promovimin e Vlerave dhe Parandalim të së Keqes, po ashtu këshillon të gjithë shoferët që të përmbahen nga muzika në veturat e tyre dhe të mos pranojnë udhëtare gra nëse nuk janë të mbuluara.
Një drejtues taksie në Kabul, i cili nuk deshi të identifikohej, tha për Radion Evropa e Lirë që tashmë një kohë talebanët e armatosur kërkojnë nga ngasësit të mos lëshojnë muzikë në vetura apo të mos pranojnë gra pa mbulesa.
Ndërkaq eksperti afgan i drejtësisë tashmë i larguar nga vendi, Haroun Rahimi kritikoi udhëzimet e talebanëve duke thënë se në këtë mënyrë “taksistët afganë do të jenë në pozitë që të përcjellin lëvizjen fizike të grave afgane”.
“Kjo do të krijojë hapësirë për ngacmime derisa vendet publike nuk do të jenë të sigurta për gratë”, shkroi ai në Twitter më 25 dhjetor.“Gratë myslimane janë shkencëtare, udhëheqëse të industrive dhe lidere në gjithë botën. Gratë afgane do të duhej të inkurajoheshin të ndjekin hapat e tyre”, shkroi tutje Rahimi në një postim tjetër.
Në anën tjetër, Heather Barr nga organizata Human Rights Watch, tha se udhëzimi i ri i talibanëve më shumë ngjanë në “hap i cili do të izolojë edhe më shumë gratë”.
“Kështu mbyllën mundësitë që ato të mund të lëvizin lirshëm, të udhëtojnë në ndonjë qytet tjetër apo të bëjnë biznes ose të arratisën nëse ballafaqohen me dhunë në shtëpi”, tha Barr për agjencinë AFP.
Pasi morën pushtetin në gusht, talebanët formuan qeveri e cila udhëhiqet vetëm nga burrat dhe militantë veteranë të cilët premtuan se do të kthejnë në shtet ligjin e rreptë të sheriatit. Kjo njëkohësisht paraqet goditje për shpresën që shtetet perëndimore kishin që kjo udhëheqësi i talebanëve do të ishte më e butë sesa ajo para dy dekadash.
Qeveria talebane më të marrë pushtetin mbylli Ministrinë për Çështje të Grave dhe reduktoi dukshëm të drejtat e tyre. Shumicës së grave ju ndalua puna derisa shumë vajza nuk kanë të drejtë të arsimohen.
Muajin e shkuar, Ministria për Promovimin e Vlerave dhe Parandalimin e së Keqes urdhëroi televizionet afgane që të mos transmetojnë drama me aktore dhe detyroi të gjitha gazetarët televizive të mbulohen.
Edhe përgjatë viteve të 90-a gjatë sundimit të parë të talebanëve të drejtat e grave nuk ekzistonin pothuajse në vend. Të gjitha ishin të detyruara të bartnin mbulesa, largoheshin nga shtëpitë vetëm nën përcjelljen e burrave dhe e kishin të ndaluar punën, arsimimin dhe sportin.