Duket se në këtë vend, fajin për gjithçka e ka Edi Rama, pasi çdo fije, sipas kundërshtarëve të tij mediatik, e lëviz pikërisht ai.

Marrim rastin e fundit të Lefter Kokës, që u arrestua pasi akuzohet se ka përfituar gati 4 milion dollar në aferën e inceneratorëve.

Ky do të duhej të ishte një lajm i mirë për drejtësinë e re, që më në fund po godet edhe “peshq të mëdhenj”, pasi është arrestuar jo pak, por një ish-ministër shumë i fuqishëm,.

Por duhej të ishte një lajm i mirë edhe për opozitën, e cila prej disa muajsh e ka denoncuar me emër dhe mbiemër Lefter Kokën.

Por çuditërisht, ka ndodhur e kundërta.

Kundërshtarët mediatikë të Edi Ramës, janë revoltuar me këtë arrestim, në vend që të gëzoheshin.

Kjo, pasi sipas tyre, prapa urdhërit për arrestimin e Kokës qendron Edi Rama.

Tani është e kuptueshme që Lulzim Basha me Monika Kryemadhin janë të pakënaqur, pasi për ta e mira e së mirës është të arrestohet edhe Edi Rama, që ta kenë rrugën e lirë drejt pushtetit pastaj.

Ajo që nuk kuptohet, është kjo revolta e këtyre gazetarëve kundërshtarë të Edi Ramës, pse është arrestuar një ish-ministër që akuzohet se ka vjedhur 4 milion dollarë.

Se jo për gjë, por kur nuk arrestohet njeri, ia vënë pikërisht fajin Edi Ramës.

Tani që arrestohet një personazh i rëndësishëm, prapë fajin ia vënë Edi Ramës, aq sa një prej këtyre gazetarëve arrinte deri atje, sa të thoshte se këtu s’ka drejtësi, pse u arrestua një ish-ministër që akuzohet për një aferë të madhe.

Ndoshta kanë hallin se po i vjen radhë ndonjë “peshku” tjetër të rëndësishëm, këtë radhë nga “Foltorja, dhe kanë nisur përgatitjet të thonë se këtu s’ka drejtësi, se çdo gjë komandohet nga Edi Rama.

Por vështirë se mund të justifikohen me emrin e Edi Ramës, kur ato që kanë ndodhur, s’duan as sy dhe as vesh për t’i marrë vesh. Thjesht është dashur pak vullnet nga drejtësia, për të vepruar.

(TemA)