Nga Artur Ajazi/ Berisha pritet të “godasë Berishën”. Absurditet. Kjo do të ndodhë edhe në Kuvendin e 11 Dhjetorit, ku ish-kryeministri i vendit, dhe ish-kryetari “historik” i Partisë Demokratike, pritet të drejtojë kryqëzatën e dënimeve dhe përjashtimeve të padëgjuara ndonjëherë në atë forcë politike. Si një njohës i mirë i rrugëve dhe “revolucioneve paqësore”, Sali Berisha e ka gati skenarin e goditjeve fatale mbi ata që deri dje, i shpallte “heronj dhe e ardhmja e partisë”, dhe që sot, po i kërkojnë të hiqet mënjanë, dhe ta lërë partinë të ecë mbi rrugën e saj. Kuvendi i 11 Dhjetorit, të ngjet më tepër edhe si Kongresi i “XX”, i Partisë Komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik. Hrushovi mezi kishte pritur rastin të shfrynte ndaj stalinistëve të vegjël,dhe nisi fushatën e spastrimeve pas fjalimit të tij të gjatë me 76 faqe. Edhe Sali Berisha, ka muaj që pergatitet për fjalimin e tij “programatik” që do tu mbajë berishistëve, duke dënuar “krimet e bashistëve”, ku padyshim thelbi i gjithçkaje do të jetë “denigrimi, baltosja, shkarkimi, dhe fshirja e emrit të tyre, edhe nga lista e partisë”.
Ata që deri dje, i mori, afroi, dhe pergatiti me dorën dhe urdhërin e tij, sot e tutje nuk do ti duhen më Sali Berishës. Ai ka vendosur, të bëjë goxha Kuvend, të mbushë stadiumin, duke u trajnuar prej ditësh nga suflerë të mirëpaguar. Sali Berisha i brumosur me mësimet e “klasikëve”, kërkon famën, kërkon imazhin, kërkon të jetë shembulli i njeriut që “bie dhe nuk rrëzohet, bie dhe ngrihet sërish”, duke mprehur “shpatën” dhe duke flakur çdo njeri, me të cilin dikur ka punuar, dhe ka mbyllur allishverishe politike dhe pasurore.
Çdo emër që ai ka në listën e “përjashtim-dëbimeve”, që ka qenë para 5 muajsh një “qëndrestar i shkëlqyer, një demokrat i flaktë, një antiramë i orëve të para”, do të konsiderohet “tradhëtar”, dhe do ti bëjnë gjyqin, do ta shkarkojnë, përjashtojnë dhe flakin nga partia.Situata në të cilën mbahet Kuvendi i 11 Dhjetorit nga Sali Berisha, mbetet e rënduar dhe delikate për organizatorin dhe ish-kryetarin e asaj partie, që kërkon me çdo mjet, të vishet me mbrojtje politike. Sulmet e sotme ndaj amerikanëve, duket sikur janë aktuale, dhe pasojnë ato të bëra në Parlament, 24 vjet më parë nga ish-shefi i SHIK-ut Gazidede. Edhe asokohe, ishte dora dhe goja e Sali Berishës, që akuzoi “amerikanët dhe agjenturat e huaja” për “trazirat e vitit 1997, për shkatërrimin e institucioneve”, edhe pse u zbulua qartazi, se Partia Demokratike kishte ngritur një “shtet kartoni”, aspak ligjor.
Kuvendi i 11 Dhjetorit, mbetet sfida e hapur që një ish-kryetar partie dhe ish-kryeministër, i bën jo vetëm strukturave legale të një force politike, por edhe këshillave të faktorit ndërkombëtar, për të mos vazhduar me lojëra të tilla të rrezikshme, që provokojnë destabilitet.Ai është gati të hedhë në luftë gjithë delegatët e Kuvendit, vetëm të shpëtojë emrin, pasurinë dhe fjalimin e tij. I prezantuar si “rreziku dhe minuesi kryesor i demokracisë në Shqipëri”, ish-kryeministri “non-grata”, arriti të organizojë jo vetëm foltoret e tij,por po sfidon hapur edhe drejtësinë e reformuar, duke i dhënë vehtes të drejta dhe atribute të mohuara, pasi është një prej të akuzuarve nga SHBA.