Vetëm 2 ditë nga ‘Foltorja’ Sali Berisha po lëviz të gjithë ‘gurët’ për të pasur sa më shumë mbështetës në ‘Air Albania’. Së fundmi një faqe në Facebook njofton të gjithë emigrantët në Gjermani për personin që duhet të kontaktohen që t’u paguhet bileta vajtje-ardhje që të vijnë më 11 dhjetor.
“Nqs jeni ne Gjermani kontaktoni me Kujtim Sefën se i keni të paguar biletat vajtje-ardhje për në dt 11 tek stadiumi ‘Air Albania’ në mitingun e të madhit Sali Berisha”, shkruhet në faqen ‘Luma e kuqe’, e cila as nuk kujdeset të mos e quajë ‘miting’ atë që nga Berisha konsiderohet se Kuvendi i rithemelimit të PD.
Në një shkrim të publikuar dje në Shqiptarja.com dhe Report Tv janë ngritur pikëpyetje mbi financimet për shpenzimet disa qindra mijë euroshe që i duhen Berishës në të gjithë këtë aksion.
Jo vetëm marrja me qira e ‘Air Albania’ që kushton më shumë se 8 mijë euro dhe gjithë organizimi aty nga një kompani eventesh por edhe gjithçka ka ndodhur që prej 16 shtatorit, me dhjetëra foltore, që kur Berisha nisi aksionin e tij, asnjë qindarkë nuk është bërë transparente.