Për analistin Frrok Çupi, Sali Berisha është “gjëja më e zëzë që i ka ndodhur popullit shqiptar” gjatë udhëtimit nëpër shekuj.
Duke komentuar Kuvendin që po mbahet në stadiumin “Air Albania”, Çupi tha në emisionin “Breaking” në Top News, se ish-kryeministri është pozicionuar qartë kundër SHBA, pasi e “krahasoi Washingtonin me Moskën”.
“Fjalimi kundër SHBA e çimentos Sali Berishën qartë kundër SHBA. E krahasoi Washingtonin me Moskën. Ai zhvlerësoi tërësisht rolin primar të SHBA.
Ky ishte qëllimi shumë i zi i Berishës, por që rendon edhe mbi pjesëmarrësit në atë takim. Populli shqiptar pati fati e keq që në udhëtimin e tij takoi Sali Berishën. Dhe ky ishte udhëtimi më i zi. Nëse nuk do kishim SHBA, do ishim duke vuajtur në mizorinë e një shqiptari. Për fat të mirë sot ai nuk ka më asnjë vlerë”, tha Çupi.
Analisti deklaroi se “është bërë një gabim”, për Lulzim Bashën, që është krahasuar me Berishën. Sipas tij, Basha ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe të ligjit, pavarësisht se simpatizantët e Berishës po votojnë për shkarkimin e tij.
“Kemi bërë një lapsus. Nuk ka asnjë lidhje mes Bashës dhe Berishës. Basha njihet botërisht dhe nga ligji si kryetar i PD. Fakti që Escobar erdhi në Shqipëri dhe e eliminoi madje dhe presidentin, dhe tha se Sali Berishën kurrë Amerika nuk do ta pranojë, në të njëjtën kohë ftoi Bashën në SHBA, tregon shumë. BE uroi sot në përvjetorin e PD, Lulzim Bashën. Tubimi i Berishës ishte i pavlerë. Tubimit të Sali Berishës nuk i duhet dhënë asnjë vlerë”, tha Çupi.
Sipas Çupit, këto janë momente vendimtare edhe për shtetin dhe drejtësinë.
“Shteti dhe drejtësia janë në provë, duhet hetuar krimi dhe lidhja me atë tubim dhe financat krimanele”, tha ai.