Në vende të ndryshme të Evropës për darkën e Krishtilindjeve serviren gjellë e menu të ndryshme. Kështu në një festë tipike evropiane Krishtlindjesh gjejmë variacione të panumërta të pjatës kryesore, garniturave apo sallatave.

Nëse dikush flet për një darkë specifike për shembull “gjermane”, “greke”, apo “ruse” të Krishtlindjeve, gabon. Variacionet janë aq të shumta, saqë edhe prej dy shtëpish ngjitur me njëra-tjetrën përhapen aroma gjellësh krejtësisht të ndryshme.

Menua e Krishtilindjeve varet nga zakonet dhe preferencat personale të të ushqyerit. Pjata kryesore varet nga fakti se ku vendoset fokusi, tek perimet, tek peshku, shpendët, mishi i derrit apo i viçit.

Me rritjen e rëndësisë së dietave vegjetariane, mishi dalëngadalë u zhduk nga menyja e shumë familjeve për Krishtilindje. Kështu shumëkush gatuan lloje të ndryshme orizi apo makaronash, të përgatitura me perime të bollshme dhe patate të skuqura ose të ziera.

Doktrina e vjetër kristiane, sipas së cilës në periudhën para Krishtlindjeve agjerohet, e ka futur shumë heret në plan peshkun, meqë mishi në këtë periudhë nuk hahet. Nga peshqit e detit prioritet ka merluci. Në vendet pa dalje në det për Krishtilindje serviret kryesisht krapi, në mungesë të tij zgjidhja është sigurisht gjithmonë salmoni i Atlantikut.

Kur është fjala për shpendët, në Evropë për Krishtlindje konsumohen më shumë gjela deti se sa pula. Kjo edhe për shkak të madhësisë së tyre natyrale, që është ideale për një familje katëranëtarëshe. Për të gjithë ata, që nuk i japin rëndësi agjerimit, mishi i derrit është zgjedhja e parë. Shumë shpesh shërbehet edhe mish viçi. Produktet e mishit si sallamërat janë po ashtu të preferuara./ DW