Deputeti i PD-së Luan Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Ai ka folur për protestën e 8 janarit dhe lëvizjen e demokratëve për të marrë selinë pas shkarkimit të Lulzim Bashës në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin e 18 dhjetorit.
“Ky veprim duhet të ishte bërë më shpejtë pasi ishte një kërkesë e vetë demokratëve, të atyre që realizuan një proces të brendshëm shumë demokratik brenda PD-së. Një proces që duhet të ishte bërë që pas 25 prillit. Lëvizja e Doktor Berishës ‘foltorja’ dhe gjithë takimet ishin një analizë e detajuar për gjithë veprimtarinë e PD-së. Të gjitha këto diskutime që u bënë në të gjitha takimet e çdo dege të PD-së, konkludoi me një rezultante me Kuvendin e 11 dhjetorit, i cili ishte një Kuvend historik dhe nga përmasat i pakrahasueshëm, nga pjesëmarrja dhe nga vendimet që mori. Ishte një organizim perfekt dhe një Kuvend për herë të parë të thirrur nga anëtarësia, nga delegatët, vendimet e tij ishin historike që do të luajnjë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në të ardhmen e PD-së. Ky Kuvend prodhoi edhe referendumin e parë të kësaj partie, ku u shkarkua me 4446 vota të delegatëve Lulzim Basha. Ky vendim dhe të gjitha vendimet e këtij Kuvendi duhet të vihen në zbatim.
Për të ardhur keq për mënyrën se si flasim Basha dhe mbështetësit e pakët të tij pasi ai duhet të dijë sa ka qenë prezenca e demokratëve në Referendumin historik të 18 dhjetorit. Ishte nën monitorimin e mëdias nga hapja e procesit deri në votimin e demokratit të fundit, me një pjesëmarrje masive”, tha ai i ftuar në një intervistë televizive.